Lidhje

Parlamenti Evropian me rezolutë për Kosovën


Rezoluta u bënë thirrje autoriteteve të Kosovës për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Parlamenti Evropian u ka bërë thirrje pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë një gjë të tillë, ndërsa autoriteteve të Kosovës që të bëjnë me shumë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Thirrjet janë pjesë e rezolutës për Kosovën, të hartuar në bazë të raportit të eurodeputetes Ulrike Lunaçek, raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian.

Ajo tha se mosnjohja e Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian është duke penguar zhvillimin e Kosovës.

Rezoluta mirëpret nisjen e negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit të Kosovës me Bashkimin Evropian duke e cilësuar atë si “një shtysë të fuqishme për reforma”.

Në rezolutën e miratuar me 485 vota për dhe 94 kundër, thuhet se Kosova meriton përparimin drejtë Bashkimit Evropian, por tërhiqet vëmendja se “korrupsioni vazhdon të mbetët pengesa më serioze për funksionimin e institucioneve publike”.

Eurodeputetët u kanë bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të vazhdojnë të respektojnë mandatin e Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, të mbështesin përgjegjësitë ekzekutive të këtij misioni dhe të bien dakord për zgjatjen e mandatit të EULEX-it dhe pas qershorit të këtij viti.

Kosovës i kërkohet po ashtu që sa më shpejt të miratojë reformën zgjedhore dhe të sigurojë një gjyqësor të paanshëm e të pandikuar nga politika.
XS
SM
MD
LG