Lidhje

Kosova nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me EUROPOL-in


Kosova nënshkroi të hënën marrëveshje bashkëpunimi me Agjencinë e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit EUROPOL, e njohur deri vonë si Policia Evropiane.

Përfaqësuesja e Posaçme e Bashkimit Evropian, Nataliya Apostolova tha se kjo marrëveshje rritë shkallën e bashkëpunimit që është i rëndësishëm për trajtimin e krimeve që ndikojnë në bllok dhe në Kosovë, siç janë terrorizmi e krimi i organizuar, përmes shkëmbimit të informacioneve ndërmjet agjencive për sundimin ne ligjit në Kosovë dhe EUROPOL-it.

Kosova ishte vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor, me të cilin EUROPOL-i nuk kishte marrëveshje bashkëpunimi.

Drejtuesit e Ministrisë së Brendshme dhe policisë së Kosovës e vlerësuan shumë të rëndësishme marrëveshjen e sotme e cila thanë ata i siguron vendit mjete për luftë më të frytshme kundër krimit ndërkombëtar.

“Rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe e gjithë Evropa po përballen me kërcënime të shumta nga organizata kriminale ndërkombëtare dhe grupe terroriste. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Policisë së Kosovës dhe agjencive të zbatimit të ligjit, do t’u ofrohen mjetet e nevojshme dhe të domosdoshme për të goditur fuqishëm kriminalitetin transnacional, duke mbyllur kështu një hapësirë që ka ekzistuar me vite të tëra”, tha ministri i Brendshëm, Agim Veliu.

“Në si polici e kuptojmë se element shumë i rëndësishëm i luftimit të krimit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti është qasja në informacione, qasja e drejtpërdrejtë dhe shkëmbimi i informatave në kohë reale gjë që na e mundëson tani e tutje kjo marrëveshje”, tha Rashit Qalaj, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës.

Autoritetet në Kosovë thanë se deri më tani shkëmbimi i informacioneve me EUROPOL-in është kryer përmes “Deskut Suedez” në kuadër të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e ligjit “që ka krijuar vonesa në shkëmbimin e informatave dhe kryerjen e operacioneve policore”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG