Lidhje

Kosovë: Propozohet tërheqja e shtatë diplomatëve


Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, propozi të martën tërheqjen nga misionet diplomatike të shtatë ambasadorëve dhe konsujve, përfshirë edhe ambasadoren e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku.

Përveç saj në një njoftim të publikuar edhe në rrjetet sociale thuhet se është propozuar tërheqja e Edon Canës që shërbën aktualisht në Sofje, Lirim Grejçevcit që shërben në Hagë, Shpend Kallabës që shërben në Budapest, Mimoza Ahmetajt që shërben në Strasburg, Ylber Hysës që është në shërbim në Podgoricë dhe Ramadan Avdiut që shërben si konsull në Gjenevë.

Në njoftim thuhet se “që në fillim të mandatit jam zotuar për vendosjen e rregullit dhe ligjit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Një ndër hapat e radhës është edhe kërkesa për kthimin e ambasadorëve politikë që e kanë përfunduar mandatin 4-vjeçar të paraparë sipas ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës”.

Vendimi për emërimet dhe shkarkimet e shefave të misioneve diplomatike të Kosovës i takon presidentit të vendit sipas Kushtetutës së Kosovës.

Ambasadorja e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku shkroi në rrjetin facebook se “do ta respektoj kërkesën e qeverisë”

“Ndonëse e kam të qartë se ligjërisht vetëm Presidenti i Kosovës ka të drejtë të emëroj dhe shkarkoj Ambasadorët e Republikës së Kosovës, mua më mjafton fakti tashmë i ditur botërisht, se unë jam e padëshiruar”, shkroi ajo.

“Si Ambasadore jam emëruar përmes çelësit politik. Këtë e kam thënë shumë herë më parë, dhe është krejt e natyrshme që Qeveria e Kosovës të kërkojë zëvendësimin tim. Mirëpo, unë nuk do të lejoj që të bëhem mish për top në betejën mes Qeverisë dhe Presidencës”, shkroi ambasadorja Çitaku.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG