Lidhje

Kosova ndalon me ligj lojërat e fatit


Parlamenti i Kosovës miratoi të enjten me procedurë të përshpejtuar ligjin që ndalon lojërat e fatit për 10 vjetët e ardhshme.

Ligji u miratua pak kohë pasi që dy persona u vranë në dy kazino në Kosovë, gjatë plaçkitjeve të armatosura.

Gjithsej 69 deputetë votuan në favor të këtij ligji, i cili u kritikua nga një pjesë e ligjvënësve, që pohuan se një zhvillim i tillë do të nxisë veprimtaritë e tilla në rrugë të paligjshme.

Lojërat e tilla qenë shtuar shumë gjatë dhjetë viteve të shkuara dhe shoqatat e tyre thanë se ato punësonin 4 mijë veta, që tash do të mbeten të papunë.

Miratimi i ligjit u parapri nga miratimi i një rezolute të propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, me të cilën kërkohej pezullimi i veprimtarive të lojërave të fatit.

Kosova e cila shpalli pavarësinë më 2008, është vendi më i ri dhe më i varfër në Evropë, me një shkallë të lartë të papunësisë dhe me shkallë ende të ultë të investimeve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG