Lidhje

Analistët për sfidat e qeverisë në ardhje të Kosovës


Gjykata Kushtetuese e Kosovës, publikoi pasditen e së hënës vendimin e plotë me të cilin i jep të drejtë dekretit të presidentit Hashim Thaçi për mandatarin e ri, duke i hapur rrugën Lidhjes Demokratike dhe partnerëve të saj të koalicionit ta hedhin për votim në parlament përberjen e qeverisë së re.

LDK-ja kërkon që të mërkurën të votohet për qeverinë e re të Kosovës
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:35 0:00

Analistët në Prishtinë thonë se këtë qeveri që në fillim e presin sfida të rënda.

Drejtori ekzekutiv i Grupit Ballkanik për Hartimin e Politikave, Naim Rashiti tha për Zërin e Amerikës se një qeveri me një shumicë të thjeshtë të votave do të përballet me vështirësi brenda për brenda koalicionit, në parlament dhe përballë presidentit të vendit.

Naim Rashiti
Naim Rashiti

“Edhe kjo qeveri do të jetë e cenuar nga mungesa e një konsensusi më të gjerë politik tani brenda qeverisë por duke pasur parasysh se nëse formohet kjo qeveri do të ketë një opozitë shumë të fuqishme; Partinë Demokratike dhe Vetëvendosjen edhe një kredibilitet të cenuar publik. Sfidat për Kosovën nuk do të kalojnë dhe kështu do të vazhdojë deri sa të kemi një konsensus më të gjerë, një marrëveshje politike më të gjerë se si do të ballafaqohet shteti i Kosovës me këto procese të rëndësishme”, tha zoti Rashiti.

Arton Demhasaj nga organizata Çohu, thotë se pas krijimit të qeverisë së re ,skena politike do të përballet me thellim ndarjesh, ndërsa numëron vështirësitë që e presin atë.

“Fakti që kjo qeveri do të varet nga votat e Listës Serbe, me gjasë do ta ketë edhe një dozë të kontrollimit të vendimmarrjes nga Lista Serbe për shkak të mungesës së numrave e pastaj shtoja këtu edhe presidentin, i cili do të jetë të themi lojtari kryesor në çështjen e dialogut dhe kjo do të ndikojë që qeveria Hoti të mos ketë shumë kompetenca apo mundësi për të ndikuar në dialog. Këto do të bëjnë në esencë që qeveria Hoti ka me qenë e brishtë dhe fakti që përballet po ashtu edhe me situatën ekonomike të pandemisë edhe kjo do të ndikojë që qeveria Hoti të jetë në vështirësi qysh në ditët e para sa i përket dialogut, pandemisë”, tha zoti Demhasaj.

Një nga sfidat kryesore të qeverisë së ardhshme sipas analistëve pritet të jetë rifillimi i bisedimeve më Serbinë, një proces ky që është pezulluar që nga nëntori i vitit 2018 për shkak të masave që Kosova kishte vendosur ndaj mallrave serbe.

Qeveria në detyrë e Kosovës e cila hoqi tarifat por i zëvendësoi ato me masa reciproke, vendosi që nga e diela të mos lejojë hyrjen e mallrave nga Serbia, dokumentet e të cilave nuk i referohen Kosovës me emrin e saj kushtetues. Vendimi nxiti reagimin në Beograd, të të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, por edhe kundërshtimin e presidentit të Kosovës dhe të mandatarit të tij për formimin e qeverisë së re.

Ky veprim sipas analistëve do ta thellojë ndarjet në skenën politike kundruall bisedimeve me Serbinë.

Arton Demhasaj
Arton Demhasaj

“Unë mendoj se më shumë është masë presioni ose sfidë, pra që dëshiron ta sfidojë qysh në start qeverinë Hoti për shkak se vendosja e reciprocitetit tash në këto kushte do ta obligoj qeverinë Hoti qysh në ditët e para të saj ta tërheq reciprocitetin e pastaj kjo mund të përdoret si masë presioni dhe njëkohësisht edhe për t’u ankuar më tepër Vetëvendosja te qeveria Hoti se shikoni masën që ne e vendosëm ju po e hiqni, pra më tepër është për të vendosur një presion publik mbi qeverinë Hoti se sa shoh që mund të ketë ndonjë vlerë reale për momentin sepse po ta kishte diçka të tillë kjo masë ishte vendosur qysh më herët dhe nuk ishte pritur”, tha zoti Demhasaj.

“Tani çfarë ndodh me këtë situatë është që vendimet e fundit, në moment të fundit shkaktojnë dhe ngarkojnë edhe më shumë skenën politike dhe vështirësitë për dialog të brendshëm politik dhe në të njëjtën kohë shkaktojnë reagime enorme ndërkombëtare të cilat edhe më shumë e dëmtojnë pozicionin e Kosovës në këto procese tani pothuajse të dërmuara”, tha zoti Rashiti.

Ai thotë se vendimet kundruall Serbisë duhet të bashkërendohen nga institucionet dhe se qeveria duhet emërojë një ekip negociator dhe të krijojë mbështetje të fuqishme nga partitë politike për të vazhduar bisedimet me Serbinë. Në të kundërtën...“nëse nuk arrijnë të bëjnë këtë që në fillim telashet do të fillojnë me qeverinë dhe do ta ngufatin të njëjtën dhe do ta sjellin në të njëjtën situatë siç i kanë sjellë qeveritë e kaluara, Kështu që është një test i madh për mandatarin për kryeministër të ardhshëm, për partitë politike që përfaqësohen në qeveri se si do të arrijnë të ndërtojnë këtë strukturë të re që në fillim duke mos lënë hapësirë për debat dhe konflikte politike që të futen në proces guximshëm, bindshëm dhë pa frikë, por një proces që ndërton dhe rindërton besimin e SHBA-së dhe BE-së në Kosovën në procesin e dialogut me Serbinë, përndryshe edhe kjo qeveri do të ketë fatin e qeverive të kaluara”, tha zoti Rashiti.

Mospajtimet rreth trajtimit të kërkesave amerikane çuan edhe në përçarjen e koalicionit qeverisës ndërmjet lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike që mori fund me 25 mars me një mocion mosbesimi të paraqitur nga LDK-ja.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG