Lidhje

Kosovë: shkarkohen ministri i brendshëm dhe shefi i zbulimit


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, shkarkoi të premten ministrin e Brendshëm Flamur Sefaj dhe shefin e Agjencisë së Zbulimit, Driton Gashi, pas arrestimit dhe deportimit të një dite më parë të gjashtë shtetasve turq, që kërkoheshin nga Ankaraja.

Kosovë, shkarkohen ministri i brendshëm dhe shefi i zbulimit
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:34 0:00

Kryeministri Haradinaj tha se nuk ishte i informuar për operacionin e arrestimit dhe deportimit dhe për këtë arsye "liron nga detyra të dy zyrtarët".

Në vendimet e shkarkimit shkruhet se "operacioni i ndërprerjes së leje qëndrimit, i ndalimit, deportimit urgjent dhe të fshehtë të gjashtë qytetarëve turq nga territori i Republikës së Kosovës në Republikën e Turqisë, ka ndodhur pa informimin e Kryetarit të Qeverisë dhe pa lejen e tij!"

Autoritetet në Kosovë arrestuan të enjten pesë shtetas turq, punonjës të Institucionit Arsimor Gylistan, pronë e klerikut turk Fethullah Gulen të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e fajëson për një përpjekje grusht shteti në Turqi, dy vjet më parë si dhe një mjek turk në Kosovë.

Ata u deportuan menjëherë në Turqi në një operacion të përbashkët të shërbimeve të zbulimit të të dyja vendeve.

Të enjten gjatë ditës ministria e Punëve të Brendshme ë Kosovë, tha nëpërmjet një komunikate se u kishte revokuar lejet e qëndrimit shtetasve turq, "për arsye të përcaktuara me ligjin për të huaj, konkretisht nenit 6 të ligjit ku flet për refuzimin apo revokimin e lejes së qëndrimit për rrethanat e sigurisë shtetërore".

Tërë operacioni u përcoll u përcoll me paqartësi dhe informacione të pakta.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha nëpërmjet një deklarate se është informuar nga organet kompetente "pas ngjarjes se gjashtë shtetas janë deportuar sot në Turqi me arsyetimin se nuk kanë pasur leje qëndrimi në Kosovë. Ne tani duhet të sqarojmë arsyet që kanë çuar deri në deportimin e këtyre shtetasve turq për në Turqi".

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha nëpërmjet një komunikate se nuk kishte dijeni për operacionin.

"Ka disa elemente që e bëjnë të paqartë këtë operacion deri te urgjenca e deportimit. Si kryeministër i Kosovës duke mos qenë i informuar nga asnjë institucion vendor për ndalimin dhe deportimin e tyre, do të veproj në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore lidhur me këtë veprim dhe paqartësitë rreth këtij veprimi", thuhet në deklaratën e kryeministrit Haradinaj.

​Edhe kryetari i parlamentit, Kadri Veseli nëpërmjet një postimi në Facebook, tha se arrestimi nuk përfaqëson as formën e duhur të zhvillimit të sundimit të ligjit, as konsolidimit të nevojshëm të demokracisë.

Në orët e mbrëmjes nxënësit e Kolegjit “Mehmet Akif” ku punonin të arrestuarit u hodhën në protestë duke kërkuar lirimin e tyre.

Turqia ka arrestuar më shumë se 50 mijë veta në operacionet kundër mbështetësve të dyshuar të Fethullah Gulenit, klerikut që akuzohet se qëndronte para grusht shtetit të korrikut të vitit të kaluar.

Kleriku Gulen që jeton në Shtetet e Bashkuara i ka mohuar vazhdimisht akuzat. Fondacioni i tij FETÖ drejton rreth 40 shkolla në Ballkanin perëndimor përfshirë 15 institucione në Bosnjë, 12 në Shqipëri, 7 në Maqedoni, pesë në Kosovë dhe në një Serbi.

Një goditje e gjerë qeveritare pas grusht shtetit që la pas vetes 250 të vrarë dhe mbi 2 mijë të plagosur, vuri në shënjestër mbështetësit e Gulenit dhe kundërshtarët tjerë të qeverisë turke.

Vëzhguesit thonë se ndikimi turk në Ballkanin Perëndimor ka shtrirje në mjedisit posaçërisht të banuara me myslimanë, siç janë Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina.

Një shqetësim të tillë vazhdimisht e kanë shprehur edhe ekspertë ndërkombëtarë të cilët thonë se Turqia përmes investimeve po provon që të shtrijë ndikimin e saj në Kosovë.

Erdogan: Do t'i ndjekim kudo përkrahësit e Gulenit

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha të premten se vendi i tij do të vazhdojë ndjekjen e mbështetësve të Fetullah Gulenit, duke konfirmuar deportimin e shtetasve turq nga Kosova.

Recep Tayyip Erdogan
Recep Tayyip Erdogan

"Së fundmi, agjencia jonë kombëtare e zbulimit, solli gjashtë përfaqësues të lartë të "FETO"-s nga Ballkani në bashkëpunim me agjencinë e zbulimit të Kosovës, dhe ua dorëzuan organeve policore. Ne kemi thënë se ata do të ikin, kurse ne do t'i ndjekim dhe sjellim këtu , kudo që të jenë", tha ai gjatë një tubimi në Ankara.

Deputetët kërkojnë përgjegjësi

Fillimi i një seance të parlamentit të Kosovës u përshkua me debate dhe kërkesa për përgjegjësi të institucioneve pas deportimit të djeshëm të shtetasve turq.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se nga sot institucionet e vendit kanë hyrë në një situatë të re dhe duhet të pajtohen për datën e zgjedhjeve.

"Është mese e qartë për mënyrës se si janë zhvilluar ngjarjet dje, kryeministri i vendit si shef i ekzekutivit nuk ka kontroll mbi qeverinë, mbi policinë dhe mbi institucionet e tjera, është gjithashtu e qartë se presidenti i vendit ka tejkaluar përgjegjësitë e veta në këtë rast dhe nuk është rasti i vetëm që ai kalon kompetencat kushtetuese’, tha zoti Hoti.

Shefi i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se aksioni i një dite më parë do të ketë pasoja të rënda për shtetin e Kosovës.

“Si është e mundur që në shtetin tonë të ketë struktura paralele të veprojnë pa e ditur politika vendimmarrëse, kjo është sfida të cilën e kemi përjetuar në ditën e djeshme. Sa i përket të drejtave të njeriut, kjo është një kthim i paimagjinueshëm prapa për Kosovën, për arsye se konventat më të rëndësishme evropiane të aplikueshme në Kosovë janë shkelur me ditën e djeshme dhe janë shkelur nga institucionet shtetërore të sigurisë, me deportimin e gjashtë shtetasve turq prapa në Turqi", tha mes tjerash zoti Konjufca.

Kryeministri Ramush Haradinaj, ritheksoi në parlament se nuk kishte asnjë informacion për operacionin.

“Diku nga mesi i ditës kam kuptuar se ka ndodhur depërtimi”, tha Haradinaj, duke theksuar se shkarkimi i përgjegjësve është vendim i prerë dhe i pakthyeshëm.

Delawie: Transparenca dhe sundimi i ligjit - jetike

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, shkroi në twitter se po ndjek nga afër zhvillimet rreth shtetasve turq të deportuar.

"Transparenca dhe angazhimi ndaj procesit dhe sundimit të ligjit janë jetike”

Familjarët dhe avokatët të shqetësuar për fatin e të deportuarve

Familjarët e shtetasve turq, të deportuar një ditë më parë, u mblodhën para ndërtesës së qeverisë së Kosovës për të kërkuar informacione për të afërmit e tyre.

Familjarët e shtetasve turq të deportuar nga Kosova
please wait

No media source currently available

0:00 0:00:58 0:00

Avokati Leotrim Syla tha se nuk ka asnjë informatë nga organet zyrtare se ku gjenden dhe çfarë ka ndodhur me ta.

"Tash për tash po kërkojmë që të takohemi me kryeministrin në mënyrë që të na jap detaje rreth asaj se çfarë ka ndodh dhe le të shohim se çka do të ndodh tash e tutje, a do të mund të ndalet deportimi i tyre për shkak se nga organet turke nuk ka ndonjë deklaratë zyrtare se ata janë deportuar por nuk ka asnjë deklaratë zyrtare e cila vërteton që ata janë deportuar nga ana e shtetit të Kosovës kështu që në bazë të deklaratve jo zyrtare familjarët kanë kuptuar që ata gjenden ende në Kosovë dhe shpresojmë që në këtë mënyrë do të mund të ndalohet deportimi i tyre për shkak se kemi një brengë shumë të madhe në kahjen që Kosova do të merr”.

Ai tha se gjendja nëpër burgjet e Turqisë është e tmerrshme dhe ata që bashkëpunojmë me shkelësit e të drejtave të njeriut në një mënyrë janë kontribuues në shkeljen e atyre të drejtave.

“Andaj edhe çdo bashkëpunim me anë të ekstradimit apo deportimit dhe dhënies së qytetarëve turq të cilët përndiqen vetëm për shkak të bindjeve të tyre kundër pushtetit të tanishëm është shkelje e të drejtës ndërkombëtare gjegjësisht e Konventës evropiane për të drejtat e njeriut të cilën Kosova e ka marr si obligim për respektimin e saj. Këta njerëz rrezikohen të deportohen në një vend ku do të shkelën në mënyrë flagrante të drejtat e tyre”, tha zoti Syla.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG