Lidhje

Kosovë: Dënohet dëmtimi i varrezave ortodokse serbe në Lipjan


Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett tha të martën se “ushtrimi i sigurt i besimit, kërkon respekt ndërmjet komuniteteve dhe drejtësi të shpejtë”. Ai i bëri këto komente në një postim në rrjetet sociale duke folur për fillimin e takimit Ministerial për Lirinë Fetare në Washington, ku marrin pjesë gati një mijë udhëheqës nga e gjithë bota, përfshirë edhe Kosovën, për të diskutuar mbi liritë fetare.

“Si po reagon Kosova ndaj dëmtimit të varrezave në Lipjan? Ushtrimi i sigurt i lirisë së besimit kërkon respekt ndërmjet komuniteteve dhe veprim të shpejtë të drejtësisë”, shkroi ambasadori Kosnett, duke ju referuar një incidenti të fundjavës kur ishin dëmtuar varrezat ortodokse serbe, në komunën e Lipjanit, rreth 20 kilometra në jug të Prishtinës.

Policia tha se ka hapur hetimet por nuk dihen hollësi rreth autorëve apo motiveve të mundshme të këtij incidenti i cili nxiti reagimin e serbëve lokal.

Të martën, ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës dënoi ashpër incidentin, duke u kërkuar organeve të rendit “të bëjnë gjithçka është e mundur për të zbuluar dhe nxjerrë përpara drejtësisë autorët e këtij incidenti kriminal. Për Republikën e Kosovës, bashkëjetesa, raportet dhe harmonia ndëretnike, janë të shenjta. Ministria e Punëve të Jashtme konsideron se edhe incidenti në fjalë është kundër interesave të Kosovës dhe se autoritet shtetërore do të bëjnë të pamundurën që raste të këtilla të mos përsëriten”, thuhet në reagimin e ministrisë së Jashtme të Kosovës.

Incidenti i dënua nga misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, i cili u kërkoi të gjithë udhëheqësve lokal që të bëjnë thirrje kundër veprimeve të tilla dhe nga Bashkimi Evropian, që e cilësoi këtë si një veprim që fyen dinjitetin njerëzor dhe dëmton mirëbesimin ndërmjet komuniteteve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG