Lidhje

Ramush Haradinaj mbrohet në heshtje


Ramush Haradinaj, Hagë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, përfundoi të mërkurën paraqitjen para Prokurorisë së Posaçme në Hagë, që është një nga dy dhomat e Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Pas qëndrimit prej më shumë se një ore brenda ndërtesës së prokurorisë, ai tha se nuk u është përgjigjur pyetjeve të prokurorëve, duke shfrytëzuar të drejtën e tij për t’u mbrojtur në heshtje.

Ramush Haradinaj në Hagë
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:30 0:00

“Sot jam paraqitur si i dyshuar për të kryer obligimin ligjor në bazë të një ftese të Prokurorisë së Posaçme të Dhomave të Posaçme, kam pranuar këshillën ligjore pra që të mos përgjigjem fare në pyetje dhe me këtë kam kryer obligimet ndaj gjykatës, në bazë të ligjit për Dhomat e Posaçme. Obligime tjera nuk kam edhe kjo është e tëra që mund të them sot”, tha zoti Haradinaj.

Ai u paraqit në Hagë pak ditë pasi paraqiti dorëheqjen e pakthyeshme nga posti i kryeministrit, e dyta herë në 14 vjet. Ai dha dorëheqje nga ky post më 8 mars të vitit 2005 për t'u dorëzuar vullnetarisht në gjykatën për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë, prokuroria e së cilës e akuzonte atë dhe dy bashkëluftëtarë të tij për krime lufte. Ai që shpallur dy herë i pafajshëm. Kjo ishte paraqitja e tretë në Hagë, por kësaj radhë në një institucion të drejtësisë ndërkombëtare të themeluar nga parlamenti i Kosovës. Zoti Haradinaj tha se nuk pret ndonjë aktakuzë nga dhomat e posaçme, ndërsa dorëheqjen e tij e cilësoi të domosdoshme për shkak të interesave të vendit...

“Kryetari i qeverisë kur del para një hetuesi ka dal qeveria, ka dal shteti, janë me rëndësi këto tema të kemi kujdes, për këtë arsye për të respektuar shtetin të cilin me zor e kemi krijuar dhe ende është në rrugë e sipër për t’u bërë i barabartë me të gjitha shtetet në arenën ndërkombëtare, në OKB, në BE dhe e kam dhënë një shembull të respektimit të ligjit”, tha zoti Haradinaj që doli nga ndërtesa e prokurorisë pak para se prej andej të largohej edhe ish zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj tha se fakti që është detyruar të jap dorëheqje, është një ndërhyrje e madhe për Kosovën. “E shoh që shumë njerëz i marrin këto zhvillime me sportivitet, por nuk janë krejt zhvillime krejt të thjeshta mos e harroni këtë. Jemi detyruar në momente kur është dashur ndoshta fokusimi me mbajt në tema tjera, jem detyruar të jap dorëheqje, jem detyruar të shkojmë në zgjedhje, jemi detyruar të rihapim gjendjen e brendshme. Për fat të mirë ka qëndrueshmëri në Kosovë, për fat të mirë është demokraci do të thotë po ndodhin gjërat në mënyrë demokratike dhe për fat të mirë në Kosovë është respektuar jo vetëm kushtetuta e ligjet por edhe çdo aspekt tjetër i qëndrueshmërisë. Unë besoj që Kosova është e qëndrueshme, e fortë dhe ka demokraci të shëndoshë, partitë politike garojnë. Nëse rasti jem konkret nëse populli më jep besim e respektoj atë besim dhe vazhdoj punën, nëse jo u dëshiroj sukses në marrjen e besimit kushdo qoftë por Kosova do të ecë përpara dhe thash edhe njëherë me rëndësi është tregu për njohje dhe jo ato tema tjera se janë të papërballueshme”.

Zoti Haradinaj refuzoi thirrjet dhe trysninë edhe të diplomatëve evropian e amerikan për pezullimin e tarifave me të cilat Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Beogradi sërish e ka përsëritur kërkesën për heqjen e tarifave si kusht për fillimin e bisedimeve, ndërsa ka theksuar se dorëheqja e zotit Haradinaj mund të zvarris edhe më tej procesin, meqë mund ta çojë Kosovën në zgjedhje të parakohshme.

Vet zoti Haradinja ka bërë thirrje për zgjedhje të reja dhe ka theksuar se partia e tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk do të jetë pjesë e asnjë ideje tjetër për daljen nga situata aktuale në Kosovë.

Edhe partitë tjera në pushtet, përfshirë Partinë Demokratike të Kosovës, pohojnë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja të cilët kryetari i kësaj partie, Kadri Veseli, i cilësoi të “pashmangshme”. Opozita pret që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të fillojë këshillimet për të caktuar datën e tyre.

Por, presidenti Thaçi, i cili tha shkurt në një njoftim fundjavën që lamë pas se do të veprojë bazuar në kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, për të cilat qytetarët e Kosovës do të njoftohen me kohë, nuk ka bërë asnjë veprim dhe asnjë koment rreth kësaj çështjeje.

Heshtja ka nxitur spekulime për ndonjë përpjekje tjetër për të tejkaluar situatën, ndonëse duket shumë e vështirë duke pasur parasysh qëndrimet e partive politike.

Zoti Haradinaj dhe zotit Krasniqi, janë zyrtarët më të lartë që janë thirrur në Hagën deri tash, ku edhe gjatë kësaj jave dhe javëve në vazhdim pritet të merren në pyetje dhjetëra ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

E themeluara me vendim të parlamentit të Kosovës, Gjykata e Posaçme me emrin dhomat e specializuara vepron në Hagë, me ligjet e Kosovës dhe me prokurorë e gjykatës ndërkombëtar. Ideja për themelimin e saj pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Martty, për përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Hetimet sikurse e dhe ngritja e gjykatës kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999 që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG