Lidhje

Haradinaj: Serbia të ndryshojë qasjen ndaj Kosovës


Me gjashtë tetor në Kosovë mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Gjithsej 25 subjekte politike të të gjitha komuniteteve janë regjistruar për të marrë pjesë në këto zgjedhje. Zëri Amerikës po zhvillon një seri intervistash me kandidatët e subjekteve kryesore politike për postin e kryeministrit të vendit. Në një intervistë me korrespondentin tonë në Prishtinë, Leonat Shehu, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se tarifat janë politikë dënuese ndaj Serbisë e cila duhet të ndryshojë qasjen ndaj Kosovës. Ai thekson se nuk synon marrëdhënie servile, por marrëdhënie përmbajtjesore strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Haradinaj: Nuk fshihem pas Amerikës kur bëj punë të liga
please wait

No media source currently available

0:00 0:08:48 0:00

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj ju po kërkoni një mandat të dytë për të qeverisur Kosovën, përse duhet qytetarët të votojnë prapë për ju?

Ramush Haradinaj: Tani në periudhën e parë qeverisëse, pra gjysmë mandati që sapo ka përfunduar për shkak të dorëheqjes, kemi arritur t’i përfundojmë disa punë me rëndësi për vendin që janë edhe në themel të shtetësisë sonë; e drejta në mbrojtje, në ushtri, përmbyllja e çështjes së një resursi ekonomik si Trepça, dhe njëkohësisht edhe shumë ligje që janë me peshë për funksionimin tonë të brendshëm si ligji i pagave, nuk kemi pasur ndonjëherë ligj për paga, ligjet tjera pra të reformës edhe njëkohësisht pakoja e ligjeve për forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar edhe konfliktit të interesit. Si Kosovë pra, kemi arritur ta konsolidojmë funksionimin e brendshëm edhe tani mendoj se i kam mundësitë edhe e kam ekspertizën se vij nga qeverisja, që të përqendrohemi në atë që është shumë jetike për Kosovën që është zhvillimi ekonomik, pra sektori privat, marrëdhëniet me sektorin privat, krejt marrëdhëniet brenda sipërmarrësve që nënkupton edhe punëdhënës e punëmarrës, pastaj dakordimin e një formule në shëndetësi, që të kemi sistem shëndetësor funksional dhe njëkohësisht edhe arsimin dual në vend. Pra janë këto tri shtyllat kryesore që i synoj.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj, ka pasur shumë kritika madje edhe nga ish partnerët e koalicionit qeverisës për izolimin e vendit, për pak a shumë ftohjen e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si u përgjigjeni kritikave të tilla?

Ramush Haradinaj: Kur ka mungesë të argumenteve dhe përmbajtjes vjen në shprehje servilizmi i tepruar. Por servilët dhe servilizmi përfundojnë me ndonjë proces të caktuar, pra nuk është jetëgjatësi e marrëdhënieve në mes të palëve. Unë nuk synoj marrëdhënie servile me Amerikën, por synoj përmbajtje, synoj jetëgjatësi, pra, marrëdhënie strategjike dhe për këtë arsye forcimi edhe konsolidimi i Kosovës mendoj se është direkt në interes të Amerikës por jo ta quajmë ashtu një përshtatje e shpejtë ditore e cila dëmton edhe interesat strategjike të Amerikës në rajonin tonë.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj një kritikë e vazhdueshme për Kosovën mbetet çështja e sundimit të ligjit, luftimi i korrupsionit, krimit të organizuar. Çfarë hapa do të ndërmerrni ju për të luftuar këto dukuri?

Ramush Haradinaj: Mund të them se ka një avancim pra në forcimin e shtetit ligjor. Për shembull, ne kemi pasur ligje të trashëguara nga koha e OKB-së vetëm të ri votuara në parlament. Tash së fundmi kemi përmbyllur pakon ligjore për luftimin e krimit, korrupsionit e konfliktit të interesit. Kemi avancuar edhe bazën ligjore për rreziqe tjera si terrorizmi e rreziqet tjera dhe për këtë jemi lavdëruar edhe nga departamenti i shtetit, departamenti i drejtësisë pra në Amerikë dhe Bashkimi Evropian ka pasur lavdata. Kemi përmirësuar bazën materiale të gjyqësorit duke rritur pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke shtuar numrin e ekspertëve në këto fusha. Duhet ta forcojmë edhe më tutje pavarësinë e gjyqësorit, pra të hiqen duart nga gjyqësori pa ndikime politike, por t’i krijohet mundësia zbatimit të ligjit.

Zëri i Amerikës: Si mund të bëhet kjo pra largimi i ndikimit politik?

Ramush Haradinaj: Është me rëndësi që të vazhdohet përkrahja dhe të krijohet një lloj pavarësie materiale financiare po se po, ligjore po se po, por edhe e influencave. Pra duke e fituar fuqinë e vet gjyqësori vetvetiu e krijon edhe mbrojtjen e vet nga ndikimet e jashtme çfarëdo qofshin jo ligjore e në këtë rast edhe nga ndikimet nga politika.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj me kë do të ishit të gatshëm të bashkë qeverisni pas zgjedhjeve dhe me kënd jo?

Ramush Haradinaj: Unë kam pasur një përvojë bashkë qeverisëse me Partinë Demokratike të Kosovës mirëpo kemi pasur edhe ato shqetësimet gjatë rrugës. Mendoj se kanë treguar pa qëndrueshmëri në momente me rëndësi për vendin edhe nuk dëshiroj t’i kthehem kësaj përvoje. Njëkohësisht kam vërejtje në shumë politika të zotit (Albin) Kurti, sidomos ato ekonomike. Janë politika të dështuara ekonomike, pra komuniste, që kanë varfëruar popuj dhe ekonomi edhe kuptohet që e kam të pamundshme të bashkëpunoj me këto politika të tilla ekonomike.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj koalicioni juaj vazhdon ta mbrojë tarifat ndaj mallrave serbe që u vendosën gjatë mandatit tuaj. A ka ndonjë kusht tjetër përveç njohjes nga Serbia që ju, të themi do të ndërmerrnit ndonjë hap për pezullimin ose largimin e tyre?

Ramush Haradinaj: Shikoni. Serbia është sjellë shumë keq gjatë luftës së fundit në Kosovë do të thotë ka qenë me të vërtetë një pozicion i keq i Serbisë derisa është detyruar bashkësia ndërkombëtare të ndërhyjë për të ndalur një tragjedi të paparë në Kosovë. Dhe Serbia vazhdon të sillet keq me Kosovën, vazhdon të na dënojë në mënyra të ndryshme si duke na penguar anëtarësimin në INTERPOL që është qëllimi të luftohet krimi transnacional, duke na penguar në perspektivën tonë euroatlantike, Serbia aktualisht është si Dodik Republika që e pengon Bosnjën. Dodik edhe Republika Serbe në Bosnje e pengon Bosnjën në avancimin e mëtejmë ta zëmë drejt NATO-s. Serbia e bën të njëjtën gjë, na dënon ne. Dhe ne për herë të parë pra në jetën tonë kemi vendosur po ashtu ta dënojmë Serbinë. Pra e kemi dënuar, tarifat janë politikë dënuese, veprim dënues, por për çka? Për të gjitha ato të këqija që na i bën Serbia. Tash e ka Serbia një mundësi ta ndërrojë kursin, ta aprovojë anëtarësimin tonë në INTERPOL. Sikur Serbia ta kishte ndryshuar qëndrimin edhe t’i kishte njoftuar sponsorët e vet kundër Kosovës se është për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, do të ishte një situatë e re. Por, derisa Serbia vazhdon ta dënojë Kosovën më gjithë ato kampanja domethënë, taksa mbetet a ka kush tjetër? Ne kemi një kusht për Serbinë që të kërkojë falje ndaj Kosovës, për atë që ka bërë në Kosovë në mënyrë që të mund të pajtohemi dhe të fillojmë marrëdhëniet bilaterale. Pra kërkesa ime është njohja reciproke që do të rezultonte edhe me marrëdhënie ekonomike të lira, pra me hapje të tregut.

Zëri i Amerikës: Lejimi i anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL do ta ndryshonte situatën?

Ramush Haradinaj: E ndryshon gjendjen, por nuk është se ne kemi vendosur kusht anëtarësimin në INTERPOL, por pastaj do ta bartte situatën te ne. Nëse Serbia do të thoshte se është për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, se kjo është komponentë e rëndësishme e sigurisë së të gjithë neve, e luftës kundër krimit transnacional, rreziqeve transnacionale, se krimi transnacional është logjistika e terrorizmit, e anëtarësimi ynë në INTERPOL ndihmon në luftimin e krimit transnacional që nënkupton se ndihmon luftimin edhe të logjistikës së rreziqeve edhe më të mëdha sesa vet krimi, që është terrorizmi e rreziqet me të cilat gjithë bota përballet.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj ju jeni përballur me trysni gjatë mandatit të kaluar dhe me siguri që prapë do të përballeni me trysni për çështjen e heqjes së tarifave ose pezullimin e tyre. Si do ta menaxhoni këtë trysni nëse zgjidheni prapë kryeministër?

Ramush Haradinaj: Nuk ndryshon, do të thotë ne e dimë kush jemi, ne jemi Kosova shtet i pavarur sovran i 17 shkurtit 2008, i konfirmuar prej Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, vendet e respektuara na kanë njohur me Kushtetutën e vendit. Ta zëmë, Amerika i respekton vendimet që një qeveri e vendit sovran si Kosova i merr në bazë të Kushtetutës dhe në bazë të ligjeve në fuqi. Pra shiqoni, ndonjë mospajtim në raste të caktuara nuk i prish marrëdhëniet në mes të popujve, vështirëson agjendat e caktuara ose momentale por jo partneritetin strategjik ndërsa është e logjikshme që Amerika synon prosperitetin për të gjithë ne, për Kosovën, për Serbinë edhe bën presion te të dyja palët, por palët po ashtu duhet të reflektojnë gjendjen e brendshme. Ta zëmë unë duhet të reflektoj gjendjen e brendshme të Kosovës. Kosova ka dhënë shumë për një marrëveshje me Serbinë, ka aprovuar pakon e Ahtisarit që përfshin të drejtat e zgjeruara për serbët e Kosovës. Tani Kosova ka ardhur në një situatë ku nuk din më çka të jap, nuk mundet t’i hapë kufijtë për ta kënaqur Serbinë edhe nuk mund të pranojë një Dodik Republikë ose një Putin Republikë brenda vetes vetëm për ta kënaqur Serbinë, pra është e pamundshme të bëhet kjo, i bjen ta luftojë ekzistencën e vet Kosova. Unë nuk mendoj që Amerika na e kërkon këtë, nuk na e ka kërkuar asnjëherë, nuk do të na e kërkojë kurrë.

Zëri i Amerikës: Partitë tjera po ju akuzojnë juve që i keni prishur marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

Ramush Haradinaj: Nuk e kuptojnë mirë marrëdhënien e popullit shqiptar me Amerikën. Nuk është marrëdhënie që prishet prej një individi, prej meje ose prej dikujt tjetër, është një marrëdhënie midis popujve, është një marrëdhënie në mes qëllimeve gjeostrategjike që na bashkojnë dhe unë jam këtu vetëm ta ndihmoj këtë marrëdhënie. Fakti që u ndodha në Amerikë ditën e hapjes së fushatës mendoj që duhet të merret si një tregues që nuk jam shkaktar i prishjes së marrëdhënieve me Amerikën. Unë nuk dua të marrë merita për përmirësimin e marrëdhënieve sepse ato janë të popujve edhe nuk fshihem prapa Amerikës kur është nxehtë ose kur është vështirë ose kur bëj punë të liga unë, ta zëmë kur rritet korrupsioni ose kur dua ta luftoj korrupsionin nuk fshihem prapa Amerikës, ato i bëj sepse janë detyra të vendit tonë. Ju them edhe një herë, në Amerikë, nuk do të kishte funksionuar Amerika qe qindra vjet sikurse vlera kryesore të kishte qenë ai servilizëm, në Amerikë njerëzit që i shërbejnë me besnikëri Amerikës edhe ia dedikojnë jetën, vlerësojnë besnikërinë e secilit për popullin e vet në radhë të parë. Për shembull edhe fjalimi i presidentit Trump që tregoj se kujt i takon e ardhmja domethënë ishte me rëndësi. Ai tha e ardhmja ju takon patriotëve jo globalistëve edhe kjo duhet të vjen në shprehje çdo herë.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj shumica e partive politike në Kosovë preferojnë vendosjen e masës së reciprocitetit ndaj Serbisë, që do të mundësonte në një formë edhe rifillimin e bisedimeve me Serbinë. Përse e kundërshtoni ju këtë masë?

Ramush Haradinaj: Po ne kemi reciprocitet me Shqipërinë, por Shqipëria na ka njohur, kemi me Maqedoninë e Veriut e cila na ka njohur, e me Malin e Zi po ashtu. Me Serbinë kemi dënim, për dënimet që ne na i bën Serbia, reciprociteti nuk është dënim, është shpërblim për Serbinë. Serbia e ka kërkuar reciprocitetin edhe kur ishim me vetëm dhjetë për qind tarifë ndaj mallrave të saj, pra vetëm për dhjetë për qind tarifë ata kanë ofertuar reciprocitetin, ndërsa 100 për qindëshi është dënim për dënimet që na i bën Serbia. Në botë sot luftërat tregtare ose politike ose luftërat tjera bëhen me ndëshkim, pra është masë ndëshkuese si sanksionet ndaj Iranit. As ato nuk janë reciprocitet, janë masë dënuese ndaj regjimit iranian i cili ndihmon terrorizmin në botë. Arsyeja përse Kosova e ka dënuar Serbinë është sepse rrezikon sigurinë e Kosovës Serbia, ashtu si Irani që e rrezikon sigurinë e botës sot dhe që Amerika është e detyruar t’i mbajë sanksionet, Serbia ka rrezikuar sigurinë e Kosovës edhe vazhdon ta rrezikojë prandaj ne jemi të detyruar ta dënojmë pra ta ndëshkojmë.

Zëri i Amerikës: Zoti Haradinaj për shumë kënd qeveria e ardhshme që do të dalë pas zgjedhjeve të gjashtë tetorit, shihet si qeveri e dialogut. Ju si e shihni atë?

Ramush Haradinaj: Së pari, çdo qeveri duhet të jetë qeveri e forcimit të Kosovës, të shtetit ligjor, të ekonomisë, të arsimit, shëndetësisë, duhet të krijojë bazë për shtesa të fëmijëve, për qiftet e reja, familjet e reja, duhet të krijojë garanci për pleqtë edhe duhet ta bëj Kosovën shtet funksional. Kjo është detyra që ta jep Kushtetuta e vendit, ligjet në fuqi edhe mandati, pra për këtë ekziston qeveria. Pastaj janë edhe temat bilaterale dhe multilaterale. Për shembull një qeveri e ardhshme është edhe qeveri e partneritetit me Amerikën, ose partneritetit me Bashkimin Evropian, njëkohësisht edhe e një marrëveshje me Serbinë e të cilën ne e synojmë. Edhe unë vlerësoj që një qeveri e ardhshme do ta ketë një prej agjendave me rëndësi edhe çështjen e arritjes së një marrëveshje për njohje reciproke në kufijtë ekzistues me Serbinë.

Zëri i Amerikës: Duke parë gjendjen aktuale a shihni mundësi që kjo të arrihet shpejt, flasim brenda gjashtë muajve apo nëntë muajve?

Ramush Haradinaj: Është e mundshme. Shiqoni, në Ballkan ka kaluar shumë kohë, mendoj që ka një vetëdije reale nëpër plot mese të caktuara, unë besoj po ashtu që edhe në Serbi e kuptojnë se po vjen fundi pra nuk kanë çka të marrin më prej Kosovës dhe nëse nuk e njohin Kosovën, tani fillojnë të humbin. Deri tani ta zëmë ata kanë marrë nga Kosova edhe kanë përfituar nga Kosova edhe në planin ndërkombëtar sepse ka qenë një kartë e tyre për përkëdhelje nga Washingtoni e nga Bashkimi Evropian. Tani vjen një moment kur kjo mund të kthehet në një kartë që dëmton marrëdhëniet e tyre me Washingtonin dhe Bashkimin Evropian dhe nuk përfitojnë asgjë. Pra, ata nuk përfitojnë më nga tregu i Kosovës, nuk kanë influencë në Kosovë, nuk mund të marrin dhurata politike nga Kosova dhe atëherë për ta kalkulimi del që më mirë ta njohin Kosovën në këtë rast dhe të paktën ta rifitojnë një treg fqinj në këtë rast sesa të vazhdojnë ta pengojnë veten duke mos fituar nga Kosova dhe duke mos u shpërblyer nga palët tjera. Ata e dinë në Serbi që Rusia vetëm i keqpërdor, pra Moska zyrtare vetëm e keqpërdor Serbinë për interesa të veta dhe nuk i intereson Serbia edhe shumica e vendimmarrësve në Serbi e dinë këtë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG