Një gjykatë në Prishtinë e liroi të premten nga të gjitha akuzat imamin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Shefqet Krasniqi.
Në shkurt të vitit 2017, prokuroria e posaçme e Kosovës kishte ngritur akuzë kundër ish imamit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë Shefqet Krasniqi, për veprat penale që lidhen me “shtytje për kryerjen e veprave terroriste, nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik, dhe shmangie nga tatimi”.
Sipas aktakuzës “i pandehuri në cilësinë e imamit të xhamisë se madhe “Mehmet Fatih” në Prishtinë, në vazhdimësi dhe me dashje ka shpërndarë mesazhe për publikun, përmes paraqitjeve të tij të drejtpërdrejta para publikut përmes ligjëratave të ndryshme, si dhe duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe mjetet tjera të informimit, përmes gjuhës së vrazhdë dhe interpretimit të ajeteve kuranore jashtë kontekstit kohor dhe frymës parimore islame, ka shtyrë të tjerët ta marrin rrugën drejt zonës së konfliktit në Siri dhe Irak e më pas të kryejnë akte terroriste, si dhe ka cilësuar disa grupe fetare si armiq të myslimanëve-sunit, duke nxitur dhe përhapur urrejtje, përçarje dhe mosdurim ndaj grupeve tjera fetare, të cilat jetojnë edhe në Republikën e Kosovës”,thuhej në akuzë.
Të premten gjykata tha se nuk kishte asnjë provë për akuzat dhe e la të lirë zotin Krasniqi.
Ish imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, që është xhamia më e madhe nën juridiksionin e Bashkësisë Islame të Kosovës, ishte shoqëruar nga policia e Kosovës në shtator të vitit 2014, gjatë një operacioni për arrestimin e të dyshuarve për përfshirje në luftërat në Siri e Irak dhe nxitje për t’ju bashkuar atyre luftërave.
Imami, Shefqet Krasniqi, është përfolur shpeshherë për fjalime e qëndrime nxitëse, madje emri i tij qe përmendur edhe në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit mbi liritë fetare në botë.
Facebook Forum