Lidhje

Shpërthim i ri në Mitrovicë


Apartamenti i një punonjësi serb të zyrës së Kosovës në veriun e Mitrovicës është dëmtuar nga një shpërthim që kaloi pa pasoja në njerëz.

Policia e Kosovës bëri të ditur se një shpërthim ka ndodhur gjatë natës në veriun e Mitrovicës në apartamentin e një pjesëtari të komunitetit serb, punonjës i administratës së Kosovës.

Shpërthimi që kaloi pa pasoja në njerëz, la pas vetes dëme materiale, ndërsa policia e cila po zhvillohen hetimet nuk di ende për motivet apo autorët e mundshëm të tij.

Apartamenti ku ka ndodhur shpërthimi është pronë e serbit Nemanja Kokeriç, punonjës i Zyrës Administrative në veriun e Mitrovicës, e themeluar nga qeveria e Kosovës, autoriteti i së cilës nuk njihet dhe nuk pranohet në veriun e banuar me shumicë serbe.

Shefja e kësaj zyreje Adriana Hoxhiç, dënoi sulmin duke e cilësuar atë si një akt jonjerëzor që qartazi kishte për synim vrasjen.

Një seri shpërthimesh kanë ndodhur javët e fundit në veriun e Mitrovicës duke nxitur tensionet edhe ashtu të larta në atë zonë.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, duke dënuar incidentet e ditëve të fundit, bëri thirrje për bashkëpunim të qytetarëve në funksion të ndriçimit të këtyre rasteve.

Policia e Kosovës dhe e EULEX-it kanë shtuar masat e sigurisë thuhet në një komunikatë të këtij misioni i cili thekson se sulmet janë kërcënim i drejtpërdrejtë për banorët e zonës, për sigurinë publike dhe sfidojnë sundimin e ligjit.

Në dy muajt e fundit në veri kanë ndodhur rreth 20 shpërthime.
XS
SM
MD
LG