Lidhje

Një i vrarë e dy të plagosur në veriun e Kosovës


Një person është vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur me armë zjarri në një incident të pasqaruar në zonën malore të quajtur Kollovërgë të fshatit Koshtovë, në afërsi të Mitrovicës.

Incident në veri të Mitrovicës
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:27 0:00

Policia tha se të tre ata janë qëlluar më armë zjarri në kohën që ndodheshin në traktorin e tyre të ngarkuar me dru. Në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhojat e 14 plumbave, ndërsa ende nuk dihen më shumë hollësi për autorët apo motivet e këtij sulmi.

Nga të shtënat ka mbetur i vrarë Ardian Ibrahimi 17 vjeç, ndërsa janë plagosur dy vëllezërit e tij, njëri 19 e tjetri 16 vjeçar, të cilët po trajtohen në spitalet e Prishtinës.

Njëri nga të plagosurit tha se ata po prisnin dru në pronën e tyre që ndodhet disa kilometra larg kufirit më Serbinë në kohën kur janë qëlluar me armë zjarri.

Incidenti i të premtes pasoi incidentet e një dite më parë në zonën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në veri të Prishtinës, ku një oficer i xhandarmërisë serbe u vra ndërsa një shqiptar u plagos dhe një tjetër vazhdon të llogaritet i zhdukur.

Policia serbe tha se grupe shqiptarësh që po prisnin dru në pjesën serbe të kufirit qëlluan mbi xhandarmërinë, duke plagosur rëndë një pjesëtar të saj, i cili më vonë vdiq nga plagët e marra. Policia e Kosovës ende është në pritje të informacioneve zyrtare.

Ministria serbe e punëve të brendshme tha se ka dërguar njësi shtesë në kufirin më Kosovën.

Vija kufitare ndërmjet të dyja vendeve vazhdon të jetë e pashënuar që nga lufta e vitit 1999 e cila mori fund me ndërhyrjen e NATO-s. Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008, ndërsa është përfshirë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në përpjekje për t’u afruar me Bashkimin Evropian. Ajo hapi bisedimet për anëtarësim pas marrëveshjeve me Kosovën e cila pret që gjatë muajve të ardhshëm të nënshkruajë marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian.

Pjesa qendrore e bisedimeve dhe marrëveshjeve të deritashme është zgjidhja e situatës në veriun e trazuar të Kosovës të banuar me shumicë serbe. Javën e ardhshme grupet punuese të të dyja palëve pritet të takohen në Bruksel për të shqyrtuar zbatimin e marrëveshjeve.

XS
SM
MD
LG