Lidhje

Kosovë: I vihet zjarri makinës së ministrit të bujqësisë


Natën ndërmjet të martës dhe të mërkurës në Prishtinë është djegur një makinë, pronë e familjes së ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi.

Policia e cila rastin po e heton si "shkatërrim dhe dëmtim të pasurisë", ende nuk ka mundur të jap hollësi për motivet apo autorët e mundshëm të zjarrvënies.

Qeveria e Kosovës e dënoi djegien e veturës private familjare të ministrit Krasniqi.

"Ky sulm i paprecedentë kriminal, i ndodhur në vazhdën e sulmeve që janë kryer së fundi kundër bartësve legjitim të institucioneve të Kosovës dhe ministrit Krasniqi, nga grupe anarkiste parapolitike, synon të krijojë atmosferë të dhunës dhe frikës, si dhe të pengojë punën e Qeverisë së Kosovës dhe rezultatet konkrete të Ministrisë së Bujqësisë si një ndër sektorët prioritar për zhvillimin ekonomik të vendit.

Qeveria e Republikës së Kosovës thekson se sulmi ndaj ministrit Memli Krasniqi, i kryer nga njerëz të cilët pasi kanë humbur arsyen, duke mos zgjedhur mjete dhe mënyra radikale, po përpiqen ta zhysin vendin në kaos dhe anarki, për përfitime të caktuara", thuhet në reagimin e qeverisë e cila u bënë thirrje organeve të rendit që të marrin të gjitha masat ligjore ndaj kryesve të këtyre sulmeve dhe të parandalojnë përsëritjen e tyre në të ardhmen.

"Qeveria e Republikës së Kosovës, në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Kosovës, shpreh përkushtimin e plotë për zhvillim ekonomik, ndërtimin e gjithanshëm të shtetit dhe fuqizimin e partneritetit strategjik me SHBA-të dhe vendet tjera mike, përkundër përpjekjeve që grupe të izoluara po bëjnë për sabotimin e këtyre objektivave nacionale të qytetarëve dhe të Qeverisë së Kosovës", thuhet në reagim.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, në një postim në rrjetin social twitter, shprehet i shqetësuar me njoftimet për djegien e makinës së ministrit Krasniqi. "Të gjitha krimet duhet të hetohen dhe të ndiqen", thekson ai.

Ndërkohë, gjatë ditës, zëvendësministri i pushtetit lokal, Bajram Gecaj, tha se persona të panjohur i kanë vënë zjarrin makinës së bashkëshortes së tij.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, duke i dënuar sulmet dhe shkatërrimet e pronës publike dhe private, kërkon nga organet e hetuesisë që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për parandalimin e këtyre sulmeve dhe kapjen e sulmuesve duke i sjellë para organeve të drejtësisë dhe duke i dënuar sipas ligjeve në fuqi.

"Në të kundërtën, këto sulme vetëm se do të vazhdojnë dhe pasojat do të jenë të paparashikueshme ndërsa përgjegjësia do të jetë e të gjithë atyre që kanë kontribuar në tensionimin e situatës, thellimit të krizës, mosveprimit në zbatim të ligjit apo arsyetimit të veprimeve me porosi të dhunshme! Duhet të veprohet derisa nuk është bërë vonë!", thuhet në reagimin e këtij këshilli.

Tensionet politike në Kosovë janë të larta për shkak të krizëz politike që tashmë për gati një gjysmë viti kanë përfshirë vendin.

Opozita është hedhur në protesta në parlament dhe jashtë tij, duke kërkuar rrëzimin e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme si rrjedhojë e marrëveshjes për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Qeveria thotë se opozita po synon të marrë pushtetin me dhunë.

XS
SM
MD
LG