Kosova përmbylli të shtunën mbrëmja ditën e parë të kremtimeve me rastin e dhjetë vjetorit të pavarësisë, me një koncert të këngëtares britanike me prejardhje nga Kosova Rita Ora.
Forcat e policisë dhe ato të sigurisë së Kosovës parakaluan qendrës së Prishtinës në ditën e dytë të kremtimeve.
“Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës të cilat janë më të mirat në rajon, janë fuqia e shtetit të Kosovës, janë garancia më e mirë e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së Republikës së Kosovës. Prandaj momenti i shumë pritur i zyrtarizimit të ushtrisë tonë është duke trokitur në derën e hapur. Partnerët tanë strategjikë dhe NATO, e përkrahin plotësisht këtë proces të Ushtrisë së Kosovës sepse ajo do të jetë vetëm një vlerë tjetër e shtuar në shërbim të paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon dhe më gjerë”, tha presidenti i Kosovws, Hashim Thaçi.
Parakalimi pasoi një mbledhje solemne të parlamentit të Kosovës gjatë se cilës ligjvënësi amerikan Eliot Engel tha se shteti i ri duhet të përqendrohet në të ardhmen e tij.
"Ka pasur kohëra kur njerëzit kanë thënë se Kosova nuk mundet kurrë të jetë një shtet i pavarur, s’ka për të ndodhur dhe unë kam vazhduar të them gjithnjë se një gjë e tillë do të ndodh. Njerëzit që janë këtu e kanë bërë të gjithë punën, ishte e lehtë për mua në Washington të ju jap mbështetjen time, por nëse shihni se ku ky vend ka qenë dhe se ku po shkon tash dhe sa kemi arritur, unë them urime ditëlindjen Kosovë e ke fituar një ditëlindje të mrekullueshme", tha ai.
Zoti Engel vuri theksin edhe tek pajtimi i arritur dy ditë më parë ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi për të zgjidhur çështjen e diskutueshme të kufirit ndërmjet tyre...
"Ka gjëra të rëndësishme tani në të cilat vendi po punon, dua të uroj presidentin e Kosovës dhe atë të Malit të Zi për arritjen e marrëveshjes për kufirin mes dy shteteve, mbetem me shpresë që të gjithë anëtarët e këtij parlamenti do ta votojnë atë, në mënyrë që Kosova të mos vazhdojë më të jetë i vetmi vend në Ballkan qytetarët e të cilit nuk mund të udhëtojnë pa viza në Bashkimin Evropian. Disa prej këtyre vendimeve janë shumë të vështira dhe madje shpesh duken të padrejta por është më rëndësi që Kosova të marrë këto vendime sepse duhet të vazhdojë ecjen përpara", tha zoti Engel.
Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se e ardhmja e rajonit do të jetë e tillë që do të lërë prapa të kaluarën dhe një ditë shqiptarët e serbët do të bashkëjetojnë në funksion të së ardhmes si dy popuj me fqinjësi të mirë dhe pjesë e pandarë e Bashkimit Evropian.
"Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme, jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta, po pse jo një president, simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë. Ndoshta ky parafytyrim sot nuk është i këshillueshëm në rrafshin e nacionales por historia na këshillon se çka është e drejtë të ëndërrohet nuk është e pamundur të realizohet, e ardhmja u takon atyre që i paraprijnë asaj", tha kryeministri Rama.
Ndihmës sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Karem, gjatë një pritjeje tek presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ritheksoi mbështetjen amerikane për Kosovë, ndërsa inkurajoi qytetarët e Kosovës dhe autoritetet "ë të luftojnë korrupsionin, të çrrënjosin krimin e organizuar, të forcojnë sundimin e ligjit dhe të vënë drejtësinë për viktimat.
"Kjo do të thotë të kesh kujdes për t'u përmbajtur nga deklaratat që mund të nxisin dhunën, veçanërisht kundër pakicave të cenueshme. Kjo do të thotë të kërkoni mënyra për të qenë një fqinj i mirë dhe për të kontribuar në sigurinë rajonale. Kjo nënkupton ratifikimin e marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi, një anëtar i ri i NATO-s. Kjo gjithashtu do të thotë të vazhdosh të kërkosh një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Nuk ka alternativë për bisedimet. E ardhmja e Kosovës nuk është si një ishull, por si një anëtar i integruar i komunitetit rajonal dhe ndërkombëtar. Amerika është e bindur se Kosova është në detyrë. Dhjetë vjet më parë, fituat pavarësinë. Sot, ju keni një mundësi për të zgjedhur rrugën tuaj të ardhshme. Ju keni një aleat të fortë tek Shtetet e Bashkuara", tha ai.
Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008, gati nëntë vjet pas përfundimit të luftës me ndërhyrjen e NATO-s që i dha fund shtypjes së shqiptarëve nga Serbia.
Mbi 115 vende të botë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian e kanë njohur pavarësinë e saj e cila kundërshtohet nga Serbia e cila është përfshirë në një proces bisedimesh me Kosovën për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Facebook Forum