Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri, Ramush Haradinaj, emëruan të premten shefin e ri të Agjencisë së Zbulimit në Kosovë, rreth tri javë pas shkarkimit të ish shefit të saj për shkak të deportimit të gjashtë shtetasve turq të kërkuar nga Ankaraja zyrtare.
Shefi i ri i agjencisë do të jetë Shpend Maxhuni, deri tash drejtor i përgjithshëm i policisë së Kosovës.
Ai do të trashëgojë në këtë post, Driton Gashin, i cili bashkë me ish ministrin e Brendshëm, Famur Sefajn qenë shkarkuar pasi që më 29 mars, u deportuan shtetasit turq, të lidhur me institucionet e klerikut turk Fethullah Gulen të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e fajëson për një përpjekje grusht shteti në Turqi, dy vjet më parë.
Operacioni që ende nuk sqaruar deri në fund, Operacioni është kritikuar ashpër nga organizatat e te drejtave të njeriut dhe njohësit e drejtësisë, që thanë se deportimi në mënyrën si ka ndodhur paraqet shkelje të Kushtetutës së Kosovës si dhe të konventave ndërkombëtare për të drejta të njeriut.
Kosova është një nga vendet e rajonit që i është nënshtruar trysnisë për arrestimin dhe dorëzimin e "gulenistëve" të kërkuar nga Ankaraja.
Presidenti turk falënderoi presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa sulmoi kryeministrin Ramush Haradinaj për qasjen ndaj operacionit dhe shkarkimin e zyrtarëve të lartë të sigurisë.
Turqia ka arrestuar më shumë se 50 mijë veta në operacionet kundër mbështetësve të dyshuar të Fethullah Gulenit, klerikut që akuzohet se qëndronte prapa grusht shtetit të korrikut të vitit 2016.
Facebook Forum