Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, mbështeti operacionin e së hënës për arrestimin e 40 personave të dyshuar për përfshirje në luftërat në Siri dhe Irak. Në një reagim të kësaj Bashkësie thuhet se operacioni ishte masë e nevojshme për ruajtjen dhe sigurinë e vendit.
“Vendi ynë dhe besimtarët tanë, në asnjë mënyrë e në asnjë rrethanë nuk duhet që të jenë pjesë e grupeve ilegale që me aktivitetin e tyre rrezikojnë jetën e të rinjve tanë dhe kërcënojnë sigurinë e vendit”, thuhet në reagim.
Bashkësia Islame kërkon nga organet përgjegjëse që të ndërmarrin të gjitha masat e duhura ndaj kujtdo qoftë që rrezikon sigurinë e qytetarëve dhe rendin kushtetues të vendit. “Bashkësia Islame e Kosovës - thuhet në reagim - me këtë rast shprehet kundër atyre që përkrahin e promovojnë gjuhë të urrejtjes, interpretim të ngushtë të mësimeve fetare dhe politizim të fesë. Stabiliteti i vendit, siguria e qytetarëve dhe jeta e të rinjve tanë është përgjegjësi e institucioneve të vendit, e të cilat duhet mbështetur e përkrahur pa hezitim nga të gjitha strukturat e shoqërisë. Ftojmë qytetarët tanë që të përkrahin organet e shtetit dhe të mos bien pre e individëve të papërgjegjshëm e të pa adrese që manipulojnë fenë për qëllime johumane e jo fetare. Bashkësia Islame e Kosovës, edhe njëherë fton besimtarët e në veçanti të rinjtë tanë, që të mos bien pre e grupeve të ndryshme që thirren në emër të të ashtuquajturit xhihad e njëfarë Kalifati”.
Në reagimin e vet Bashkësia Islame e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në promovimin e vlerave islame që urdhërojnë në paqe, në tolerancë e në mirëkuptim, larg urrejtjes, mosdurimit e ekstremizmit.