Lidhje

Netanyahu: Në këtë Vit të Ri (hebraik), unë i shtrij dorën time të miqësisë popullit të Kosovës


Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të martën se zhvillimet e fundit në mes të Izraelit dhe Kosovës mund të çojnë drejt një epoke të re në të cilën mund të përfitojnë të dyja palët.

Ai i bëri këto komente nëpërmjet një letre që u lexua në një manifestim në Prishtinë me rastin e vitit të ri hebraik. Kremtimi u organizua pa ditë pasi që Kosova dhe Izraeli ranë dakord për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, që ishte pjesë e dakordimit për normalizim të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që u arrit më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë.

Në letrën e tij, kryeministri Netanyahu theksoi se “zhvillimet e fundit në mes të Izraelit dhe Kosovës mund të çojnë drejt një epoke të re në të cilën mund të përfitojnë të dyja palët. Jam i bindur se ne mund të arrijmë shumë duke punuar së bashku dhe shpresoj që do të shkojmë drejt përmbushjes”, thuhet në letër.

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, përmes një videomesazhi i bëri jehonë marrëveshjes së arritur në Shtëpinë e Bardhë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit.

“Kjo është një mundësi e shkëlqyeshme për të festuar së bashku me një marrëveshje historike për të shkëmbyer marrëdhëniet diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit dhe për të shkëmbyer ambasadat”, tha zoti Grenell.

Kryerabini i Shqipërisë, Yoel Kaplan, tha se populli i Izraelit dhe ai i Kosovës kanë ngjashmëri të shumta në mes veti për shkak të kaluarës së tyre.

“Kosova është e veçantë. Jo shumë njerëz në gjithë botën e dinë se sa e veçantë është Kosova. Çfarë ka të veçantë në Kosovë janë njerëzit dhe kjo i bën Izraelin dhe Kosovën më të afërt sepse populli në Izrael dhe në Kosovë janë të veçantë dhe shumë të ngjashëm”, tha ai.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se në këtë vit festa hebraike është edhe më e madhe pasi që pason lajmin për njohjen e ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Izraelit.

E mirëpresim dhe do të punojmë fuqishëm për vënien e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona sa më shpejt që të jetë e mundur. Prandaj e shënojmë këtë ngjarje madhështore këtu në Prishtinë në një moment të veçantë dhe historik për të dy vendet edhe Kosovën edhe Izraelin në veçanti pasi që ky vit Hebraik po shënohet në një moment të rëndësishëm pas arritjes së marrëveshjes së Washingtonit, një marrëveshje kjo që ka karakter ekonomik, sigurisë por edhe të njohjes reciproke në mes shtetit të Kosovës dhe Izraelit”, tha presidenti Thaçi.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti tha se Kosova është demokraci parlamentare sekulare e cila do të mirëpret pjesëmarrjen e kulturës hebraike dhe përfaqësuesve të tyre në të gjitha nivelet institucionale.

“Kësaj radhe viti i ri Hebraik është i posaçëm është festa e cila shënon njohjen reciproke Kosovë-Izrael. Komuniteti hebraik i Kosovës është hallk e rëndësishme në këto marrëdhënie tona. Ne do të vendosim së shpejti marrëdhënie tona diplomatike me shtetin mik të Izraelit dhe përtej kësaj do të thellojmë marrëdhëniet tona në çdo drejtim”, tha kryeministri Hoti.

Kryetarja e parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani, veçoi ngjashmëritë mes dy popujve.

“Nuk ka dy popuj që i kuptojnë vuajtjet e njëri tjetrit më mirë e më shumë se sa populli ynë këtu në Kosovë dhe populli izraeli, prandaj është lajm i mirë që më në fund edhe politika e arriti stadin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike për të kurorëzuar një miqësi të gjatë me dekada të tëra ndërmjet popullit të Kosovës dhe atij të Izraelit”, tha zonja Osmani.

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se njohja shtetërore ndërmjet Izraelit dhe Kosovës do të jetë vetëm hapi i parë i radhës në historinë e miqësisë dhe të respektit në mes të popullit shqiptar dhe atij izraelit.

E shkuara na mëson për bashkëpunim për paqe e ta ruajmë njerëzinë përballë çdo dhune që na kërcënon. Andaj le të lidhemi miqësisht me njëri tjetrin sigurisht Kosova duket e vogël dhe e varfër dhe nuk mund t’i ofroj shumë Izraelit dhe vendeve tjera mike por Kosova nuk ofron pak, ajo ofron zemrën e saj të hapur, angazhim dhe përkushtim për përparim të miqësisë në çdo sferë nga ekonomia deri te siguria, nga kultura deri te teknologjia”, tha zoti Kurti.

Yisroel Finman, rabin nga Tirana tha se shqiptarët veçohen për shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore ndërsa bëri thirrje që Izraeli dhe Kosova të punojnë së bashku për të ardhmen e tyre.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG