Lidhje

Kosova anulon fluturimet për në Italinë veriore


Autoritetet në Kosovë anuluan të dielën të gjitha fluturimet për në zonat e prekura nga koronavirusi në Itali.

Ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku tha se vendimi pasoi rekomandimin emergjent nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë.

“Si rrjedhojë, kam kërkuar anulimin e përkohshëm të të gjitha fluturimeve që vijnë nga kjo zonë epidemike e cilësuar si zonë me risk të lartë. Fluturimet për dhe nga Italia Veriore - janë ndërprerë”, shkroi ministri Abdixhiku.

Ai shprehu keqardhje për këtë vendim por nënvizoi se në situatën e tanishme Kosova nuk ka alternativë. Ministri Abdixhiku tha se së bashku me ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Jashtme janë duke bashkërenduar masat për kontrollet në aeroport dhe ndihmën ndaj udhëtarëve që arrijnë nga zonat e rrezikshmërisë së lartë.

Në Kosovë, autoritetet thonë se kanë hartuar planet për t'u përballur me një përhapje të mundshme të koronavirusit. Deri tani në spitalet e Prishtinës janë trajtuar më shumë se 50 persona të dyshuar, por nuk është konfirmuar asnjë rast i infektimit më koronavirus.

Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi janë tri vendet e vetme të rajonit që nuk kanë regjistruar asnjë rast të tillë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG