Lidhje

Kosova bëhet me kod telefonik


Kosova nga sot u bë me kod telefonik ndërkombëtar, 383, i cili i është ndarë zyrtarisht nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit, që është agjencia e Kombeve të Bashkuara për bashkërendimin e shërbimeve të të telekomunikacionit në botë.

Ministrja për Dialog në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, vlerësoi se ky lajm përbën një të arritur historike për fushën e telekomit dhe forcon pozitën shtetërore të Kosovës.

Marrëveshja për kodin telefonik është arritur në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Sipas marrëveshjes një kompani e re serbe e regjistruar në Kosovë dhe sipas ligjeve të saj, "do të veprojë me leje të plotë për shërbimet telefonike në Kosovë dhe të marrë autorizimin e përkohshëm për telefoninë celulare".

Në Kosovë opozita vazhdimisht ka kritikuar qeverinë lidhur me marrëveshjen e për kodin telefonik, meqë sipas përfaqësuesve opozitarë me këtë marrëveshje Serbisë i njihen përgjegjësi në qeverisjen me telekomin e Kosovës. Por qeveria e ka mbrojtur një marrëveshje të tillë duke pohuar se do të shuaj të gjithë operatorët e paligjshëm të Serbisë që kanë vepruar në Kosovë, ndërsa do t'i jepet një leje e përkohshme një operatori serb që do të funksionojë sipas ligjeve të Kosovës.

Aktualisht Kosova shfrytëzon kodin telefonik 381 që ishte pronë e ish federatës jugosllave e më pas u trashëgua nga Serbia, për telefoninë tokësore, ndërsa kodet e Sllovenisë 386 dhe të Monakos 377 për telefoninë celulare.

Autoritetet thonë se, përfitimet ekonomike janë të mëdha pasi që operatorët në radhë të parë nuk do të jenë të detyruar që të paguajnë kosto të larta financiare, për shkak të mungesës së kodit që deri tash i ka kushtuar Kosovës mbi 200 milion euro.

Kosova, e cila shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008 dhe Serbia që e kundërshton ashpër atë, tash e gati gjashtë vjet janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në shkëmbim të afrimit me strukturat e Bashkimit Evropian. Këto bisedime i siguruan Serbisë hapjen e negociatave për anëtarësim, ndërsa Kosovës, nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me BE-në.

Bisedimet çuan në një varg marrëveshjesh, pjesa më e madhe të vilave nuk janë zbatuar, ndërsa ajo për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, çoi në një krizë politike në Kosovë.

XS
SM
MD
LG