Lidhje

Oliver Ivanoviç – mbetet në paraburgim


Gjykata e apelit në Kosovë. refuzoi një ankesë të politikanit serb që po mbahet në paraburgim nën dyshimet për krime lufte dhe krime të pasluftës.

Gjykata e Apelit në Prishtinë ka hedhur poshtë kërkesën e politikanit lokal serb Oliver Ivanoviç për t’u mbrojtur në gjendje të lirë. Zoti Ivanoviç, u arrestua tetë ditë më parë nën dyshime për krime të luftës, së bashku me akuzat për vrasje të kryer pas luftës.

Atij ju caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh dhe mbi të rëndojnë dyshimet krime lufte kundër civilëve të kryera në prill të vitit 1999 dhe nxitje të të tjerëve për kryerjen e veprave penale, vrasje apo lëndime të rënda trupore, të cilat janë kryer në shkurt të vitit 2000.

Arrestimi i tij nxiti reagime të përfaqësuesve serbë në veriun e Kosovës por edhe të zyrtarëve të Beogradit të cilët thanë se ky mund të jetë një veprim me motive politike.

Oliver Ivanoviç, i cili është përfshirë në politikë që nga përfundimi i luftës në Kosovë, në zgjedhjet për pushtetin komunal të vitit që lamë pas, ishe kandidat për postin e kryetarit të komunës së veriut të Mitrovicës. Ai është kandiduar për këtë post edhe në zgjedhjet për kryetar të kësaj komunë që do të mbahen më 23 shkurt, meqë kryetari i zgjedhur në votimet e dhjetorit të vitit që lamë pas, Kërstimir Pantiç, dështoi të japë betimin duke kundërshtuar që t’u nënshtrohet ligjeve të Kosovës.

Përfshirja e komunave veriore në zgjedhjet e organizuara nga Prishtina u bë e mundur me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të arritur ne prill të vitit të kaluar ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç.
XS
SM
MD
LG