Lidhje

Kosovë: Hetime për sulmin ndaj gazetarit të portalit Indeksonline


Inspektorati Policor i Kosovës ka kërkuar të mërkurën pezullimin e dy pjesëtarëve të policisë, në kuadër të hetimeve rreth sulmit ndaj gazetarit të portalit Indeksonline, Ensar Ramadani.

Gazetari Ramadani tha se është sulmuar fizikisht nga ministri në largim i Tregtisë dhe Industrisë në qeverinë e Kosovës, Endrit Shala, një natë më parë derisa po mbulonte zhvillimet rreth një incidenti ku ishte plagosur një zyrtar i Nismës Socialdemokrate.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke e dënuar sulmin, tha se ministri Shala e ka qëlluar në fytyrë gazetarin Ramadani, përderisa ky i fundit ishte në kryerje të detyrës.

“Në vendngjarje, Shala i ka kërkuar telefonin gazetarit dhe pas refuzimit të kësaj kërkese, Shala e ka sulmuar fizikisht atë duke e qëlluar në fytyrë”.

Shoqata “e dënon këtë sulm dhe çdo sulm tjetër fizik e verbal që bëhet nga politikanët dhe bartësit e institucioneve dhe fton policinë, prokurorinë dhe të gjithë sistemin e drejtësisë të trajtojnë me prioritet rastet e gazetarëve. AGK në të njëjtën kohë inkurajon kolegët gazetarë që të vazhdojnë të kryejnë me përgjegjësi punën e tyre dhe të mos ndalen para asnjë sulmi e kërcënimi”, thuhet në reagim.

Duke i bërë jehonë reagimit të Asociacionit të Gazetarëve, Misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë ka bërë thirrje për më shumë siguri për gazetarët.

Ministri Shala nuk ka bërë ndonjë koment rreth kësaj çështjeje, ndërsa zyrtarë të prokurorisë në Prishtinë thanë se “është hapur rasti” rreth këtij incidenti.

Inspektorati i policisë tha se ka janë ndërmarrë “disa veprime hetimore” ndaj dy zyrtarëve policorë që ishin të pranishëm në kohën kur ka ndodhur incidenti.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG