Lidhje

CPJ dënon kërcënimet kundër gazetarit Ermal Panduri


Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, me seli në Shtetet e Bashkuara, tha të enjten se autoritetet në Kosovë duhet të kryejnë hetime të shpejta dhe të plota rreth kërcënimeve drejtuar gazetarit Ermal Panduri, dhe të kujdesen për sigurinë e tij.

Në një komunikatë të kësaj organizate thuhet se që nga 8 shtatori dhjetëra përdorues të rrjetit Facebook kanë dërguar mesazhe kërcënuese në adresën e zotit Panduri drejtor i Radiotelevizionit Dukagjini, i cili drejton një emision politik, disa prej tyre duke e kërcënuar me jetë.

Zoti Panduri i tha Komitetit se kërcënimet filluan pasi ai postoi një video të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi në faqen e tij publike në facebook, ku ai poston shpesh komente politike dhe ka rreth 25 mijë ndjekës. Në komentet në atë video, zoti Panduri u shpreh kritik ndaj presidentit në lidhje me qëndrimet e tij rreth “korrigjimit të kufirit” me Serbinë fqinje.

Ai i tha Komitetit se bazuar në profilet e përdoruesve, beson se ata janë komentues të vërtetë dhe jo “bote”, dhe se ata janë qytetarë të Kosovës që jetojnë jashtë vendit.

"Autoritetet e Kosovës duhet t'i marrin seriozisht kërcënimet me vdekje kundër Ermal Pandurit dhe të mos kursejnë asnjë përpjekje për t'i hetuar ato", tha Carlos Martinez de la Serna, në Nju Jork. "Nëse gazetarët nuk mund të kritikojnë politikën e vendit pa marrë një lumë kërcënimesh për jetën e tyre, atëherë shtypi nuk mund të veprojë lirshëm në Kosovë", tha ai.

Zoti Panduri tha se ka bërë kallëzim penal në polici më 8 shtator dhe është në kontakt me një oficer që po heton rastin.

Gazetari Panduri publikoi në faqen e tij në facebook foton e një komenti, i cili përmbante shprehje vulgare për bashkëshorten dhe familjen e Panduri. Ai i tha Komitetit se përdoruesi më pas e fshiu atë koment dhe dërgoi një mesazh privat në facebook duke thënë "Jeta jote është në rrezik".

Ndaj kërcënimeve kundër zoti Panduri ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, i cili tha se “kërcënimet dhe gjuha e urrejtjes në rrjete sociale në drejtim të gazetarëve, janë duke u shpeshtuar dhe po bëhen çdo herë e më serioze.

Për AGK-në janë të papranueshme kërcënimet dhe ofendimet që ka pranuar Panduri. Andaj, ftojmë organet kompetente që sa më parë të merren me rastin në mënyrë që kërcënuesit të dalin para drejtësisë. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës vlerëson se kërcënimet e tilla e cenojnë rëndë lirinë e shprehjes dhe rrezikojnë klimën e të bërit gazetari në Kosovë”, thuhet në reagimin e Asociacionit i cili është mbështetur edhe nga organizata tjera rajonale të gazetarëve.

Organizata Gazetarët pa Kufij, u bëri thirrje autoriteteve që të hetojnë autorët e kërcënimeve, ndërsa politikanëve që të dënojnë kërcënimet ndaj lirisë së medies.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG