Lidhje

Lirohen pesë të akuzuar për kërcënim ndaj gazetarëve


Një gjykatë e drejtuar nga EULEX-i liroi pesë të akuzuar për kërcënim ndaj gazetarëve të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese.

Në Kosovë, një trup gjykues i përbërë prej gjyqtarëve të Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit dhe gjyqtarëve vendas i ka liruar pesë persona nga të gjitha akuzat për rastin e njohur si “BIRN”.

Në një njoftim të Misionit të EULEX-it, thuhet se kryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, tre punonjës të ish gazetës së përditshme Infopress me seli në Prishtinë, përfshirë dhe botuesin e saj Rexhep Hoti, janë liruar pasi që aktet për të cilat ata akuzoheshin nuk përbëjnë vepra penale.

Ata akuzoheshin për veprën penale të shkeljes së statusit të barabartë të banorëve të Kosovës dhe për veprën penale të kërcënimeve.

Akuzat kishin të bëjnë me shkrimet e qershorit të vitit 2009 që pasuan një emision të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, mbi njërën nga komunat e Kosovës qendrore.

Drejtuesja e këtij rrjeti në Kosovë, Jeta Xharra pohoi të jetë kërcënuar edhe me vdekje gjatë një fushate që nxiti reagime të shumë organizatave vendase e ndërkombëtare.

Kjo ishte hera e parë në Kosovë që prokurorët kishin ngritur akuza për kërcënime ndaj gazetarëve.

Prokurorët paralajmëruan ankesë ndaj vendimit të sotëm të gjykatës.
XS
SM
MD
LG