Lidhje

Plagoset gazetari i Klan Kosovës


Gazetari Milot Hasimja është qëlluar me thikë në mjediset e televizionit Klan Kosova. Sulmi dënohet gjerësisht

Gazetari i televizionit Klan Kosova, Milot Hasimja është qëlluar me thikë nga një sulmues 22 vjeçar në mjediset e këtij televizioni në Prishtinë. Ai po trajtohet në spitalin e Prishtinës dhe është jashtë rrezikut për jetë.

Policia tha se ka arrestuar sulmuesin dhe ende po hetohen rrethanat e këtij incidenti i cili u dënua gjerësisht nga shoqatat e gazetarëve, organizatat humanitare por edhe përfaqësuesit politik.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës thekson se “sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve janë shqetësuese e të pa tolerueshme dhe ato paraqesin kërcënim ndaj fjalës së lirë dhe profesionit të gazetarisë”.

Unioni i Gazetarëve të Kosovës e cilëson sulmin si “akt qyqar e barbar dhe si i tillë dëmton rëndë lirinë e shprehjes dhe punën profesionale të gazetarëve”.

Unioni i Gazetarëve kërkon nga institucionet që “ta rrisin vigjilencën e tyre, dhe të ndërmarrin masa të shtuara për mbrojtjen e gazetarëve dhe punonjësve të medieve, në mënyrë që ata të mos ndihen të kërcënuar gjatë punës së tyre profesionale dhe të kenë të mjaftueshme lirin e veprimit dhe të raportimit”.

Shefi i misionit të Organiztës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, ambasadori Jean-Claude Schlumberger, dhe Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatovic, e dënuan sot fuqishëm sulmin ndaj gazetarit Hasimja.

Jam i tronditur dhe i tmerruar nga sulmi i sotëm ndaj zotit Hasimja. Gazetarët duhet të jenë të lirë e të sigurt për të kryer punën e tyre, dhe sulmi i sotëm është absolutisht i papranueshëm. U bëj thirrje autoriteteve të drejtësisë që sa më parë të merren me rastin dhe të ndjekin penalisht autorin.

Ndërsa zonja Mijatovic, tha se “dhuna ndaj gazetarëve është e papranueshme dhe duhet të trajtohet si sulm ndaj mbarë shoqërisë. Siguria e gazetarëve është e domosdoshme në mënyrë që pjesëtarët e mediave të mund të kryejnë punën e tyre”.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë në reagimin e tij konstaton se “nuk është ky sulmi i parë ndaj gazetarëve dhe se sulmet ndaj tyre, sidomos kohëve të fundit janë përshkallëzuar që nga kërcënimi verbal, sulmi fizik, pengimi gjatë kryerjes së punës deri te rrezikimi i jetës”.

Duke kërkuar veprimin e shpejtë të organeve të drejtësisë, Këshilli nënvizon se “mosndjekja apo mos dënimi i atyre që i sulmojnë gazetarët është inkurajim për kryesit e mundshëm për kryerje të veprave të reja duke pamundësuar punën e gazetarëve për informim të drejtë dhe objektiv. Këto kërcënime dhe sulme me ç’rast rrezikohet jeta e gazetarëve dekurajojnë gazetarinë hulumtuese dhe informimin e drejtë”.

Ndërkaq kryeministri i Kosovës , Hashim Thaçi, thekson në reagimin e tij se “ky është një akt i drejtuar kundër vlerave të demokracisë, lirive të njeriut dhe shprehjes së lirë. Aktet e këtilla janë të papranueshme dhe të patolerueshme, ngase cenojnë rëndë lirinë e shprehjes dhe të mendimit, që përbën një nga vlerat më të çmuara të shoqërisë dhe shtetit që po e ndërtojmë”, thuhet në reagimin e kryeministrit Thaci.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thekson se sulmi është “një akt makabër, i adresuar jo vetëm kundër jetës së gazetarit Hasimja, por edhe kundër lirisë së medias në përgjithësi”.

Qe nga fillimi i këtij viti, shoqatat e gazetarëve kanë regjistruar të paktën 20 raste të kërcënimeve, sulmeve e pengimit të punës së gazetarëve në Kosovë. Organizatat ndërkombëtare vazhdojnë të radhisin Kosovën në mesin e vende me liri të pjesshme të medies.

XS
SM
MD
LG