Lidhje

Kosova në prag të themelimit të një gjykate të veçantë


Diplomatët perëndimorë po debatojnë me Prishtinën për ngritjen e një gjykate të veçantë për krime lufte.

Themelimi i një gjykate të veçantë që do të trajtojë pretendimet për krime lufte të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duket se është çështje e kryer. Debatet po vazhdojnë për mënyrën e themelimit të saj, nëpërmjet votimit në Parlamentin e Kosovës, apo nëpërmjet Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Kosovë, një gjykatë e re
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:02 0:00


Ideja për një gjykatë të tillë, pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dikc Marty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.

Ideja është që gjykata e themeluar nga Kosova të veprojë jashtë saj, për të mundësuar siç thuhet mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të dokumenteve.

Themelimi i kësaj gjykate që nuk është parë më sy të mirë në Kosovë, është temë e diskutimeve të ngjeshura të diplomatëve perëndimore më përfaqësuesit e Kosovës. Këtyre diskutimeve u është bashkuar edhe drejtori i Zyrës për Çështjet e Evropës Qendrore dhe Jugore në Departamentin amerikan të shtetit të Jonathan Moore. Ai tha në një intervistë për Televizionin Publik të Kosovës se krijimi i një gjykate është një proces shumë i rëndësishëm dhe se këtë ua ka transmetuar edhe mikpritësve të tij në Prishtinë me të cilët është takuar me dyer të mbyllura.

Nëpërmjet një komunikate për opinion, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga thekson se “institucionet e Kosovës kanë treguar gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë dhe se procesi i themelimit të Gjykatës, do të përqendrohet në individë dhe nuk është gjykim i përpjekjeve të përbashkëta të vendit për çlirim”.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, tha se “Kosova është e gatshme që për çdo sfidë të përballet në sistemin e vet të drejtësisë, me mbështetje të plotë ndërkombëtare”.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha të premten pas një takimi me kryetarin e Parlamentit të Shqipërisë, Ilir Meta se ende nuk ka një kërkesë zyrtare që parlamenti i Kosovës të merret me këtë çështje.

Ndërsa, zoti Meta tërhoqi vëmendjen se Kosova duk është përgjegjëse për krime dhe gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Sa i takon luftës së popullit të Kosovës dihet botërisht që populli i Kosovës nuk ka sulmuar askënd, dihet botërisht që ata që ushtruan gjenocid në Bosnje, Kroaci ushtruan gjenocid edhe në Kosovë”, tha zoti Meta.

Diplomatët euro perëndimorë thonë se dështimi i mundshëm i Parlamentit të Kosovës për të miratuar themelimin e një gjykate të veçantë do të çonte çështjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe kjo sipas tyre do të ishte e dëmshme për shtetësinë e Kosovës.

Njëzet e një vjet më parë, Kombet e Bashkuara ngritën Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi veprimi i së cilës përfshinte edhe Kosovën. Ngritja e një gjykate të posaçme për Kosovën, do ta bëjë atë vendin e vetëm në rajon që do të përballet me një mekanizëm të tillë, që për vëzhguesit është i panevojshëm duke pasur parasysh edhe faktin se në Kosovë vepron misioni me i madh evropian për policinë dhe drejtësinë.

Analistët thonë se ngritja e kësaj gjykate dëshmon dështimin e institucioneve të Kosovës por edhe të pranisë ndërkombëtare për të vendosur një sistem të qëndrueshëm të drejtësisë.
XS
SM
MD
LG