Lidhje

Kosnett, kritika për moszbatim ligjesh dhe emërime politike


Në Kosovë, ambasadori amerikan Philip Kosnett bëri thirrje sot që shoqëria civile dhe mediat të luajnë rol udhëheqës për të ndriçuar shkeljet në drejtësi dhe në luftën kundër dukurive negative. Gjatë një debati të organizuar nga lëvizja Fol, ambasadori Kosnett kritikoi institucionet për mos zbatim të ligjeve dhe vendimeve të gjykatave por edhe për emërimet politike në agjencitë e pavarura të shtetit.

Ambasadori Kosnett kritikon institucionet për mos zbatim të ligjeve dhe emërime politike
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:05 0:00

Ambasadori Kosnett kritikon institucionet për mos zbatim të ligjeve dhe emërimet politike në agjencitë e pavarura

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, bëri thirrje të enjten që shoqëria civile dhe mediet të luajnë rol udhëheqës për të ndriçuar shkeljet në fushën e drejtësisë dhe në luftën kundër dukurive negative.

Ai i bëri këto komente gjatë një diskutimi të organizuar nga lëvizja FOL, gjatë të cilit lavdëroi institucionet për miratimin e ligjeve të rëndësishme për sundimin e ligjit por, tërhoqi vërejtjen se sfidë mbetet zbatimi i tyre.

Ambasadori Kosnett tha se miqtë ndërkombëtarë të Kosovës do të luajnë rol konstruktiv për të ndriçuar rastet e shkeljeve në drejtësi, por, megjithatë përgjegjësia bie mbi qytetarët e Kosovës.

“Presim që të dëgjojmë së shpejti për mënyrat se si ne mund të ndihmojmë dhe të sigurojmë që ata që përfshihen në korrupsion apo krim të organizuar të përballen me pasoja për sjelljen e tyre korruptive. Por, përgjegjësia e parë për të siguruar drejtësinë në Kosovë bie mbi qytetarët e Kosovës, duke vepruar si individualisht ashtu edhe në mënyrë kolektive”, tha ai.

Ambasadori Kosnett kritikoi mënyrën e punësimeve në Kosovë. Ai veçoi rastin e emërimit nga ana e parlamentit të Kosovës të Naser Shalës në postin e drejtorit të Sekretariatit të Agjencisë së Krahasimit dhe Vërtetimit të Pronës në Kosovë. Ky emërim kishte ngjallur reagime të ashpra të përfaqësuesve ndërkombëtarë.

“Emërimi i një individi të pakualifikuar që nuk besohet nga i gjithë komuniteti për të zbatuar ligjin në mënyrë të barabartë, siç bëri parlamenti në këtë rast, tregon mosdëshirën për të mbështetur sundimin dhe ligjin, për të mbështetur vlerat e lirisë dhe barazisë mbi të cilën ky vend është themeluar”, tha ambasadori Kosnett, duke nënvizuar se shumë raporte të organizatave tregojnë për punësimet dhe emërimet e atyre që janë të lidhur me njerëz me ndikim.

“Unë e di se disa kultura, besojnë se ofrimi i mundësive për familjet dhe miqtë është më e rëndësishme se sa mundësia e barabartë”, tha ai.

Ambasadori Kosnett kritikoi institucionet e vendit për mos respektimin e vendimeve gjyqësore, të cilat sipas tij, nuk janë të hapura për negocimin ose interpretimin personal, duke vënë theksin tek vendimi i gjykatës kushtetuese për tokën e Manastirit të Deçanit, vendim ky që, tha ai, është kontestuar nga zyrtarët komunalë me mbështetjen e disa zyrtarëve qeveritarë.

Ambasadorët perëndimorë në Kosovë kanë shtuar kritikat kohëve të fundit ndaj institucioneve të vendit për emërimet në poste të ndryshme dhe për mungesë të rezultateve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Raporti i organizatës, Transparency International, mbi shkallën e korrupsionit në botë, e ka radhitur Kosovën në vendin e 93-të, ndryshe nga një vit më parë kur ajo ishte radhitur e 85-ta.

Sipas raporteve ndërkombëtare, sfidë për Kosovën në luftimin kundër korrupsionit mbeten transparenca e pamjaftueshme, institucionet e dobëta e sundimi i dobët i ligjit dhe hapësira e pamjaftueshme për angazhimin e qytetarëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG