Lidhje

Kosovë: Mbahet për herë të tretë “parada e krenarisë”


Disa qindra veta morën pjesë në “paradën e krenarisë”, në Prishtinë, parakalimi i tretë i këtij lloji me synimin për të mbështetur të drejtat e komunitetit LGBT.

Me moton, "Për kon t’rreh zemra", pjesëmarrësit parakaluan qendrës së Prishtinës për ta përmbyllur me një koncert manifestimin e organizuar nga shoqatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBT.

Lendi Mustafa, tha se ky parakalim është një mundësi që të dëgjohet zëri i këtij komuniteti, të drejtat e të cilit mbrohen me ligj por nuk zbatohen.

“Ka përmirësim të situatës por në letër si gjithmonë. Këtë vit, ta zëmë, ka hyrë në fuqi kodi i ri penal ku përfshihet orientimi seksual edhe identiteti gjinor në shtatë vepra mirëpo, ende mbetet sfiduese praktika, ende nuk kemi një implementim të denjë të të gjitha praktikave të mira që i kemi marrë prej vendeve më të zhvilluara”, tha ai.

Në parakalimin e këtij viti pjesëmarrësit ishin nga vende të ndryshme të rajonit e botës. Njëri nga pjesëmarrësit e shumtë nga Serbia, i cili po mbante në duar pankartën me mbishkrimin në gjuhën serbe “shqiptarët janë vëllezërit tanë”, i tha Zërit të Amerikës se të rinjtë në Serbi dhe në Kosovë duan të ardhme më të mirë.

“Kjo do të thotë “shqiptarët janë vllezërit tanë” dhe kjo pankartë po ashtu ka qenë pjesë e ‘paradës së krenarisë’ në Beograd, kështu që vetëm shfaq mbështetje, solidaritet dhe dashuri në mes të dy popujve mbi problemet politike dhe marrëdhënieve negative që janë krijuar për shkak të kuadrit që ekziston në publik dhe në media tash për tash”, tha ai.

Në parakalim morën pjesë edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, si dhe shefja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Kosovë, Lisa Magno.

"Jemi shumë të lumtur që jemi këtu me një numër të madh të madh njerëzish nga ambasada amerikane, ne përkrahim të drejtat e barabarta dhe diversitetin, dhe fuqizimin e Kosovës”, tha zonja Magno.

Përfaqësuesja e Posacme e Bashkmit Evropian, Natalya Apostolova tha se diversiteti dhe barazi janë “vlera bazike evropiane”.

Organizatorët thanë se parakalimi synon të tërheqë vëmendjen e institucioneve qeveritare dhe publike dhe për t'i treguar shoqërisë së Kosovës që komuniteti LGBTI është këtu, i pranishëm në çdo segment të jetës në Kosovë.

Kosova ka miratuar në vitin 2004 ligjin kundër diskriminimit dhe përfaqësues të të shoqërisë civile dhe komunitetit LGBT thonë se kuadri ligjor ofron garanci për të drejtat e njeriut, përfshirë edhe të drejtat e komunitetit LGBT, por ky komunitet ende është i detyruar të jetojë në hije, me frikën se zbulimi i orientimit seksual do të mund të çojë në përjashtimin nga familja e shoqëria.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG