Lidhje

Aktakuzë ndaj deputetit Fatmir Limaj


Ripërtërihet akuza ndaj deputetit të parlamentit të Kosovës Fatmir Limaj, lidhur me dyshimet për krim të organizuar dhe korrupsion në kohën kur ishte ministër i transporteve

Deputeti i Parlamentit të Kosovës, Fatmir Limaj, përballet me një akuzë të re nën dyshimet për krim të organizuar dhe korrupsion.

Prokuroria e Posaçme e Kosovës tha të martën se ka ngritur aktakuzë për krim të organizuar dhe korrupsion, në rastin e Ministrisë së Transportit dhe Post Telekomunikacionit kundër pesë të pandehurve, në përputhje me një urdhër të Gjykatës së Apelit.

Në mesin e të pandehurve është edhe Fatmir Limaj, kryetar i Nismës për Kosovën dhe deputet në parlamentin e Kosovës.

Aktakuza e sotme pason hetimet që filluan në prill të vitit 2010, nën dyshimet për korrupsion në Ministrinë e Transporteve dhe Telekomunikacionit, ministër i së cilës atëbotë ishte zoti Limaj.

Te pandehurit akuzohen për "krim të organizuar, keqpërdorim të pozitës zyrtare, keqpërdorim të autorizimeve ekonomike dhe marrje e dhënie të ryshfetit", thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme.

“Kjo aktakuzë është ngritur nga ana e prokurorit pas një hetimi të gjatë dhe të ndërlikuar të Policisë së EULEX-it në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës”.

Kjo aktakuza është ngritur si “e konsoliduar”, si rezultat i bashkimit të dy rasteve të mëhershme të hetimeve lidhur me zhvillimet në Ministrinë e Transporteve.

Mbrojtja e zotit Limaj e cilësoi të papranueshme akuzën e ngritur nga Prokuroria e Posaçme, duke vlerësuar se bëhet fjalë në fakt për akuzë të vjetër të ngritur që në vitin 2012.

Në qershor të vitit të kaluar, prokuroria kishte bashkuar në një, dy akuza të ngritura kundër zotit Limaj, siç qe thënë “në interesin e drejtësisë dhe në përputhje me të drejtat e të pandehurve”.

Në shtator të vitit 2013, zoti Limaj që shpallur i pafajshëm për të dytën herë ndërkaq nga akuzat për krime lufte. Ndërsa në vitin 2005 ai qe shpallur i pafajshëm edhe nga Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Ish nënkryetar i Partisë Demokratike të Hashim Thaçit, zoti Limaj në fillim të vitit 2014 shpalli ndarjen nga kjo parti dhe themelimin e subjektit të ri politik me emrin “Nisma për Kosovën”, e cila në zgjedhjet parlamentare të tetë qershorit 2014 mori mbi 5 për qind të votave.

XS
SM
MD
LG