Lidhje

Fatmir Limaj shpallet i pafajshëm nga akuzat për krime lufte


Një gjykatë në Kosovë e shpalli të pafajshëm dhe e liroi nga akuzat për krime lufte, zëvendëskryeministrin e Kosovës Fatmir Limaj, një nga komandantët e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe aktualisht udhëheqës i Nismës Social Demokrate.

Në tetor të vitit 2016 ai u akuzua për krime lufte kundër popullatës civile. Rasti kishte të bënte me vrasjen e dy civilëve: Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës, në Kosovën qendrore, të cilët me datën dy nëntor 1998, janë marrë në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari", po të kësaj komune.

Aktakuza e ngarkonte të pandehurin Fatmir Limaj se, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarr masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit".

Të premten gjykata tha se “nuk janë provuar elementet e veprës penale dhe i pandehur lirohet nga aktakuza”.

Në vendimin e gjykatës thuhet se "nuk është vërtetuar se kush ishin kryerësit, pasi të njëjtit ishin të maskuar, dhe këtë e ka cekur edhe prokuroria në aktakuzë. Andaj bazuar në këto nuk është arritur të vërtetohet nëse këta persona ishin pjesëtarë të UÇK-së dhe as në komandën e kujt ishin ata”.

Kjo ishte hera e tretë që Fatmir Limaj, përballej me akuza për krime lufte.

Në vitin 2012 dhe një vit më pas, ai dy herë u përfshi në një proces gjyqësor në Kosovë dhe u shpall i pafajshëm nga akuzat për krime lufte.

Ai dhe nëntë ish bashkëluftëtarë të tij, ngarkoheshin se nga fillimi i vitit 1999 deri në mesin e qershorit të atij viti, kanë kryer krime kundër civilëve serbë dhe shqiptarë, si dhe kundër pjesëtarëve të burgosur të ushtrisë serbe dhe policëve serbë të mbajtur në një qendër paraburgimi të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Kleçkë në Kosovën qendrore.

Zoti Limaj, i cili gjatë luftës njihej me emrin komandant Çeliku, më 30 nëntor të vitit 2005, qe shpallur i pafajshëm nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime lufte në Hagë ku kishte qëndruar që nga muaji shkurt i vitit 2003 nën akuzat për përfshirje në krime kundër civilëve shqiptarë dhe serbë gjatë luftës së vitit 1998.

Zoti Limaj, dikur një nga aleatët kryesor të presidentit aktual të Kosovës, Hashim Thaçi, në nëntor të vitit 2017 u shpall i pafajshëm nga të gjitha akuzat për "korrupsion, krim të organizuar e keqpërdorim të pozitës zyrtare".

Procesi, pasoi hetimet që filluan në prill të vitit 2010, nën dyshimet për korrupsion në Ministrinë e Transporteve dhe Telekomunikacionit, ministër i së cilës atëbotë ishte zoti Limaj.

Katër vjet më parë ai u largua nga Partia Demokratike për të themeluar Nismën për Kosovën, e cila kohë më parë u shndërrua në Nismën Social Demokrate të Kosovës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG