Lidhje

Prishtina dhe situata në Maqedoni


Qeveria e Kosovës u bëri thirrje faktorëve politikë në Maqedoni që të veprojnë për të shtendosur situatën dhe për të shmangur dhunën në protestat e paralajmëruara për të premten

Qeveria e Kosovës bëri thirrje sot për shmangien e shkallëzimit të mëtejmë të situatës në Maqedoni. Në një komunikatë të qeverisë, në prag të protestave të paralajmëruara për të premten në Maqedoni thuhet se ajo “është duke i përcjellë më vëmendje zhvillimet e fundit në Maqedoni ndërsa shpreh shqetësim për rritjen e klimës konfliktuale dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të veprojnë në mënyrë sa më të qetë dhe kujdesshme për të shmangur me çdo kusht një përshkallëzim të mëtutjeshëm të situatës”.

Qeveria e Kosovës, kërkon nga autoritetet në Maqedoni që të garantojnë zbatimin e të drejtave themelore të njeriut dhe të mundësojnë gëzimin e të drejtës së qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore.

Ajo kërkon, siç thuhet, “sigurimin e maksimumit të rigorozitetit dhe transparencës në proceset gjyqësore, në veçanti në rastin delikat që po trajtohet në Maqedoni, për të mos lënë kështu hapësirë që proceset gjyqësore të politizohen, apo të shërbejnë si bazë për kultivimin e urrejtjes ndër-etnike”.

Ajoi u bënë thirrje qytetarëve shqiptarë të Maqedonisë që të veprojnë me maturi dhe vetëpërmbajtje, duke ndjekur rrugën e dialogut dhe institucioneve për zgjidhjen e problemeve.

Po ashtu, i fton që të mos bien pre të provokimeve që vijnë prej segmenteve të caktuara të cilët synojnë tensionimin e mëtejshëm të situatës dhe nuk përfaqësojnë vullnetin e popullsisë shqiptare në Maqedoni. Këto grupime ndjekin agjenda specifike që shkojnë ndesh me interesat kombëtare prandaj ftohen qytetarët që të mos bashkëpunojnë me to e të mos bien në ndikimin e tyre

Qeveria e Kosovës thekson se të gjithë faktorët e jetës publike në Maqedoni duhet të vihen në veprim për të shtensionuar situatën dhe parandaluar shndërrimin në dhunë të protestave që planifikohen të organizohen ditën e premte.

Të gjithë duhet që bashkërisht të punojmë që të ndërtojmë një frymë të paqes e bashkëpunimit në Ballkan sepse rruga institucionale e dialogut dhe mirëkuptimit janë forma më e mirë e zgjidhjes së problemeve në shoqëri”, thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës.

XS
SM
MD
LG