Në Kosovë autoritetet thanë se po planifikohen gërmime në një zonë në veriun e vendit në kërkim të trupave të personave të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998 - 1999.
Ky paralajmërim pasoi përfundimin e gërmimeve nё hapësirën e kampusit tё Universitetit tё Prishtinës, ku nuk u gjetën prova lidhur me dyshimet për mundësinë që të ketë një varrezë masive.
Më 13 korrik ekspertët vendas dhe evropian të mjekësisë ligjore, filluan gërmimet vlerësuese në qendër të Prishtinës brenda oborrit të Universitetit të Prishtinës.
Vendi ku u zhvilluan gërmimet është afër kishës ortodokse serbe e cila ende vazhdon të mbetet e papërfunduar. Çështja e kishës që ka filluar të ndërtohet në kohën e regjimit të Slobodan Milosheviçit vazhdon të jetë temë debati në Kosovë për shkak të vendit dhe kohës kur ka filluar të ndërtohet.
Prokuroria e Posaçme e Kosovës tha se gërmimet u mbyllën pa rezultate.
Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Një pjesë e madhe e trupave u gjetën në varreza masive ne Serbi ku ishin dërguar nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre. Varreza më e madhe është zbuluar në vitin 2001, në Batajnicë afër Beogradit, ku në terrenet e stërvitjeve të forcave të posaçme serbe u gjetën trupat e 800 shqiptarëve të Kosovës.
Edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1 mijë 600 personave, pjesa më e madhe të përkatësisë kombëtare shqiptare.