Lidhje

Flora Brovina thotë se fotoja e publikuar prej saj mund të jetë e falsifikuar


Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina, tha të premten se fotografia e publikuar një ditë më parë ku ajo pretendonte se ishin pamje të një përdhunimi nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë , ishte “me gjasë e falsifikuar”.

Brovina, fotoja e publikuar, mund të jetë e falsifikuar
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:13 0:00

Zonja Brovina u mor në pyetje të premten në policinë e Kosovës lidhur me këtë fotografi dhe më pas tha se atë “e kishte marrë nga një aktivist për të drejtat e njeriut në vitin 2003”.

Kurrë nuk kam menduar që dikush mund të më sjellë dokumente që nuk janë të verifikuara saktësisht prandaj me guxim e kam përdorur dhe me të drejtë. Shumica e dhunimeve në Kosovë kanë pasur pozita apo situate të ngjashme mos të them identike, prandaj nuk kam besuar që ky dokument mund të jetë diçka që nuk është i saktë. Saktësinë e tij do ta vërtetojnë organet e shtetit dhe unë qëndroj në disponimin e tyre në çdo moment dhe jo vetëm për këtë rast, por për të gjitha rastet, duke filluar nga helmimet dhe masakrat tjera të cilat i kanë përjetuar gjatë luftës ose gratë e dhunuara të cilat kanë pasur dhe kanë besim çdoherë tek unë sepse kurrë nuk e kam shkelur dinjitetin e tyre, privatësinë e tyre dhe në opinion ju nuk keni dëgjuar që kam folur veç e veç apo emra të përveçëm për secilën”.

Ajo kërkoi ndjesë në një paraqitje para medieve duke nënvizuar se “qëndroj për fajësinë time që ndoshta se kam verifikuar dokumentin e fundit”.

Prokurorja Speciale, Drita Hajdari, tha të premten pasdite se zonja Brovina kishte deklaruar gjatë marrjes në pyetje se e kishte marrë fotografinë në vitin 2003 nga disa veprimtarë nga Gjakova dhe duke i besuar fotografisë kishte vendosur ta publikojë.

Ajo tha se është herët të dihet nëse deputetja Flora Brovina do të hetohet për publikimin e fotografisë, para se të kryhen të gjitha hetimet.

Intervistimi i zonjës Brovina është vetëm një hap hetimor, neve na mbeten edhe disa veprime hetimor për të dalë me një rezultat përfundimtar. Gjithçka që do të ndërmarrim dhe rezulton nga hetimi ne do t’iu informojmë me kohë”.

Prokurorja Hajdari tha se fotografia do t’i nënshtrohet ekspertizës së nevojshme “që të krahasohet me atë foto të publikuara në internet që pretendohet se janë nga lufta e Irakut”.

Fotografia u shfaq pak para fillimit të një seance të parlamentit të Kosovës, i cili miratoi të enjten një rezolutë që fajëson Serbinë për gjenocid në Kosovë.

Vetëm pak orë pas publikimit të fotografisë, u hodhën dyshime për vërtetësinë e saj.

Mediet lokale publikuan pamje të njëjta të marra nga disa faqe me përmbajtje pornografike, e të cilat shfaqen edhe në faqe të publikuara në Lindjen e Mesme për propagandë kundër forcave ushtarake amerikane.

Publikimi i fotografisë nxiti shumë reagime në Kosovë, posaçërisht të organizatave humanitare dhe personaliteteve që merren me trajtimin e çështjes së përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë.

Qendra e Kosovës për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës, paralajmëroi për të hënën një parakalim protestues në mbështetje të viktimave të përdhunimeve.

Për shumë vite kërkuam njohje ligjore dhe qasje në drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, ndërsa pikërisht tani kur ka filluar njohja e statusit ligjor të tyre, rrënohet gjithçka, duke tentuar të manipulohet me dhimbjen dhe plagët që bartin të mbijetuarit dhe familjarët e tyre”, thuhet në njoftimin e kësaj qendre.

Të premten pasdite kryetari i parlamentit, Kadri Veseli tha se publikimi i fotografisë nga deputetja Brovina ishte “gabim i madh”.

Flora Brovina dje ka bërë një gabim të madh, por besoj që e ka bërë pa dashje. E njoh Florën, veprimtarinë e humanizmin e saj, siç e njeh e gjithë Kosova. Por, ajo është dashur të konsultohet më herët për atë veprim. Por, ne duhet të gjithë bashkërisht të nxjerrim mësim nga ky gabim. Ky gabim na dëshmon që s’duhet të ngutemi e të ndërmarrim veprime emocionale”, tha ai.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, reagoi në një postim në twitter duke theksuar se “të mbijetuarit e mizorive, duhet të trajtohen me respekt, dinjitet dhe ndjeshmëri. Udhëheqësit e duhet të ndihmojnë viktimat, dhe të mos i shfrytëzojnë për përfitime politike”.

Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, për fatin e 1 mijë e 600 prej të cilëve, ende nuk dihet asgjë. Mijëra gra ishin viktima të përdhunimeve nga forcat serbe, të cilat atëbotë dëbuan mbi 800 mijë shqiptarë të Kosovës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG