Lidhje

Ndalohet Milaim Zeka, deputet i Nismës për Kosovën


Prokuroria e Posaçme i ka shqiptuar masën e ndalimit prej 48 orësh deputetit në Parlamentin e Kosovës, Milaim Zeka. Deputeti Zeka dyshohet për veprën penale të pjesëmarrjes në krim të organizuar dhe mospagim taksash.

Lajmin për Zërin e Amerikës e konfirmoi zëdhënësi i Prokurorisë së Shtetit, Ekrem Lutfiu.

“M.Z është ndaluar për 48 orë për veprën penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar dhe shmangia nga tatimi. M.Z dyshohet se me këto veprime është i përfshirë në grupin e organizuar kriminal në mashtrimin e qytetarëve që kanë aplikuar për viza pune në Gjermani”, tha zëdhënësi Lutfiu.

Më herët gjatë ditës, policia e Kosovës kishte njoftuar se kishte thirrur për ta marrë në pyetje deputetin Zeka nga radhët e Nismës.

Në një deklaratë të policisë thuhet se “Policia ka intervistuar personin me inicialet M.Z. lidhur me veprën penale që ndërlidhet me mashtrim dhe shmangie nga tatimi”, duke nënvizuar se të gjitha veprimet e mëtejshme do të ndërmerren në bashkërendim me prokurorinë përgjegjëse.

Ndalimi dhe marrja në pyetje e deputetit të Nismës për Kosovën, Milaim Zeka pasoi publikimin e disa raporteve hulumtuese në gazetën në internet “Insajderi”, e cila shkroi për siç thuhet, përfshirjen e deputetit Zeka në një skemë mashtrimi të mbi 900 qytetarëve të Kosovës me viza pune në Gjermani. Sipas hulumtimit të gazetës, qytetarët kanë paguar nga 50 deri në 3500 euro për një vizë pune.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG