Lidhje

NATO mbështet zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi


Komandanti i lartë i NATO-s, Philip Breedlove e cilësoi historike marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Komandanti i lartë i NATO-s, gjenerali amerikan Philip Breedlove, e cilësoi sot historike marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në një takim me gazetarë në përfundim të vizitës në Kosovë, vetëm pak javë pas marrjes së postit të komandantit të lartë, ai tha se me këtë marrëveshje është hapur një dritare e paqes dhe qëndrueshmërisë së përhershme në rajon.

Ne jemi të përkushtuar të mbështesim zbatimin e marrëveshjes historike e cila përfaqëson një hap konkret përpara për paqen dhe sigurinë në rajon”, tha ai, duke u bërë thirrje e të gjithëve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi për t’u siguruar se ajo do të kulmojë me qëndrueshmëri dhe siguri të përhershme për të gjithë dhe të gjithë brezat e ardhshëm.



Trupat e KFOR-it u vendosën në Kosovë më 12 qershor të vitit 1999, duke i dhënë fund luftës gati dy vjeçare ndërmjet forcave serbe dhe ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Atë kohë në Kosovë u vendosën rreth 50 mijë ushtarë, ndërsa 14 vjet pas luftës, në terren ndodhen diç më shumë se 5 mijë trupa.

Komandanti i lartë i NATO-s tha se misioni i këtyre trupave ka të bëjë me një mjedis të sigurt për të gjithë dhe vendosjen e lirisë së lëvizjes dhe tash për tash nuk ka plane të reja për ndonjë shkurtim të pranisë së trupave paqeruajtëse.

Çështja më e rëndësishme sa i përket trupave është se do t’i mbajmë këtu për aq kohë sa do të ketë nevojë dhe përderisa popujt dhe kombet t’i marrin vendimet e nevojshme për të vendosur paqen e qëndrueshmërinë në këtë pjesë” tha ai.

Forcat e KFOR-it janë pjesë e planeve për zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila qe arritur më 19 prill ndërmjet kryeministrave Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, të cilët më 22 maj hartuan edhe një plan të zbatimit të saj.

Zbatimi i marrëveshjes përfshinë disa elemente themelore siç janë, rregullimi i kuadrit ligjor të të dyja palëve, rrugët e krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, çështjet e policisë e gjyqësisë dhe zgjedhjet për pushtetin lokal. Sipas planit tërë marrëveshja duhet të zbatohet brenda gjashtë muajve të ardhshëm, ndërsa një pjesë e veprimeve fillestare është dashur të përfundojnë një javë më parë.Grupet punuese të të dyja palëve, ende po diskutojnë rrugët e zbatimit të marrëveshjes.

Marrëveshja u siguron serbëve në veriun e Kosovës një shkallë të lartë të autonomisë, veçanërisht në fushën e policisë dhe gjyqësisë. Fillimi i zbatimit të saj në terren është kusht për përparimin e të dyja palëve në proceset e integrimeve evropiane.
XS
SM
MD
LG