Lidhje

Opozita në Kosovë komenton takimin Thaçi – Putin


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti rus Vladimir Putin, duke ndjekur punimet e Forumit të Paqes në Paris.

Partitë opozitare në Kosovë thanë të martën se takimi në mes të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Rusisë, Vladimir Putin, ishte në kuadër të përgjegjësive të tij kushtetuese ndërsa ngritën shqetësimet për diskutimet që mund të kenë ndodhur.

Komentet pasuan njoftimin e një dite më parë të presidentit Thaçi për një takim të shkurtër në Paris me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në kuadër të zhvillimeve rreth ceremonisë qendrore me rastin e 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.

Kosovë, opozita komenton takimin Thaçi-Putin
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:56 0:00

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, presidenti Thaçi tha se takimi u përqendrua në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje detyruese gjithëpërfshirëse dhe se sipas tij presidenti Putin do të mbështesë çdo marrëveshje ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se është në kuadër të detyrave të presidentit që të mbajë takime me përfaqësues të jashtëm, por sipas tij duhet të dihet se çfarë është biseduar.

“Çështja është se çka është diskutuar dhe a është diskutuar çështja e territorit të Kosovës. Nëse është diskutuar çështja e territorit të Kosovës apo ideja e presidentit për korrigjim atëherë është shkelje përndryshe çdo takim i presidentit me personalitete të jashtme është në detyrat e tij kushtetuese dhe mendoj se është brenda kufizimeve kushtetuese”,tha ai.

Ndërsa, deputetja Albulena Haxhiu nga lëvizja Vetëvendosje tha se ishte i pritshëm një takim i tillë pasi që, sipas saj, presidenti Thaçi po kërkon aleat të rinj.

“Ai u takua me Putinin dhe ka një tendencë të vazhdueshme të presidentit Thaçi që të zëvendësoj aleatët, në këtë rast të zëvendësoj Gjermaninë me një shtet siç është Rusia, pra ai po pretendon dhe po angazhohet në vazhdimësi që të krijojë një marrëdhënie të re me Serbinë dhe Rusinë. Kjo për neve si Vetëvendosje është e papranueshme dhe natyrisht që e kundërshtojmë”,tha zonja Haxhiu.

Rusia e cila ka shtuar përpjekjet për të zgjeruar ndikimin e saj në Ballkan, vazhdon të mbështesë Serbinë, e cila po ecën nëpër vijën e ngushtë ndërmjet synimeve për t'i integruar në Bashkimin Evropian dhe ruajtjes së lidhjeve me Moskën.

Ajo mbështetë qëndrimin serb ndaj çështjes së Kosovës dhe nuk i sheh me sy të mirë proceset integruese të vendeve të Ballkanit, posaçërisht zgjerimin e NATO-s.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve dhe gjatë verës presidenti i Kosovës dhe ai Serbisë, kërkuan mbështetje ndërkombëtare për arritjen e një marrëveshjeje që do të mund të përfshinte edhe prekjen e kufijve.

Por, këto ide, që janë shmangur në ligjërimin politik të ditëve të fundit nga të dy presidentët, nxitën reagime të shumta në Kosovë dhe në Serbi, por edhe ndarje në skenën ndërkombëtare, ndërmjet atyre që do ta pranonin një marrëveshje që arrihet mes palëve dhe atyre që druajnë se prekja e kufijve, mund të nxisë lëvizje të ngjashme edhe në pjesët tjera të Ballkanit, që ende nuk është rimëkëmbur nga luftërat e përgjakshme të fundit të shekullit të kaluar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG