Lidhje

Visar Ymeri shoqërohet sërish në gjykatë


Policia e Kosovës shoqëroi të martën për në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kryetarin e lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, në kuadër të një procesi gjyqësor lidhur më një incident të vitit 2012.

Zoti Ymeri bashkë me dy deputetë të tjerë të lëvizjes Vetëvendosje janë në një proces gjyqësor më një deputet të Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me një incident të qershorit të vitit 2012, kur ishin përleshur në oborrin e parlamentit.

Zoti Ymeri është shoqëruar në gjykatë, meqë nuk i është përgjigjur ftesës së saj për të marrë pjesë në seancën gjyqësore.

Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet një komunikate tha se "proceset e montuara gjyqësore ndaj lëvizjes Vetëvendosje nuk po ndalen dhe janë intensifikuar kohëve të fundit. Arrestimi i vazhdueshëm i kryetarit të subjektit më të madh opozitar, konfirmon raportet ndërkombëtare që Kosovën e kanë shpallur vend me sistem gjysmë të konsoliduar autoritar. Prej se e kemi në pushtet këtë koalicion, dhuna dhe përndjekjet politike janë bërë metodë qeverisëse në Kosovë".

Në komunikatë thuhet se lëvizja Vetëvendosje kërkon urgjentisht "ndërprerjen e përndjekjeve politike dhe do të angazhohet me tërë qenien e saj që ta largojë këtë regjim autoritar".

Vendimi i gjykatës lidhur me rastin ku është i përfshirë zoti Ymeri pritet të publikohet në fillim të javës së ardhshme.

XS
SM
MD
LG