Lidhje

Opozita në Kosovë shtyn protestën


Partitë opozitare në Kosovë shtynë protestën e paralajmëruar për të shtunën për të kërkuar largimin e qeverisë dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Vendimi për shtyrje pasoi këshillimet ndërmjet tyre, por burime edhe brenda partive opozitare thonë se ka mospajtime për hapat e ardhshëm për të kundërshtuar institucionet e Kosovës.

Opozita ne Kosove shtyn protestat
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:19 0:00

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj tha se shtyrja e protestës po ndodhë për shkak të siç tha ai seriozitetit të temave.

Duke e ditur që Kosovën po e presin ditë të rënda dhe të vështira, kapja e shtetit është më e thellë dhe që problemet që vijnë nga marrëveshjet e gabuara vetëm sa po e rëndojnë Kosovën, pra në Kosovë kemi edhe komisionin ndërkombëtarë për shënimin e vijës së kufirit, ne vendosëm për të kundërshtuar këto procese kemi marr vendim që protestën e paralajmëruar për nesër ta shtyjmë për një datë tjetër, pra shtyrja është me qëllim të seriozitetit të temave për të mos ndërhyrë as me data, as me festë e as me rrethana tjera që mund të jenë të ndjeshme në këto rrethana çfarë po i kalojmë”, tha zoti Haradinaj.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën kanë hequr dorë nga pjesëmarrja në parlamentin e Kosovës, ndërsa lëvizja Vetëvendosje ka lënë të hapur mundësinë e pjesëmarrjes në seancat e parlamentit në raste kur siç thonë ata rrezikohet shteti i Kosovës.

Kosova po përballet tash e më shume se një gjysmë viti me krizën më të thellë politike që nga shpallja e pavarësisë së saj në vitin 2008.

Parlamenti i Kosovës është shndërruar në skenë përplasjesh për shkak të mospajtimeve ndërmjet opozitës dhe qeverisë. Partitë opozitare kanë hedhur vazhdimisht gaz lotsjellës në seancat e parlamentit në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjes për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Përleshje të dhunshme kanë ndodhur në disa prej protestave të opozitës edhe në rrugët e Prishtinës.

Udhëheqësit e institucioneve u kanë bërë thirrje partive opozitare që të kthehen në parlament dhe të bashkëbisedojnë për të zgjidhur të gjitha shqetësimet e tyre. Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka thënë se partnerët e koalicionit janë të gatshëm për të biseduar me opozitën.

Jemi të gatshëm në çdo moment që të bisedojmë, por të bisedojmë për problemet reale, për problemet që na shqetësojnë të gjithë neve dhe jo për tema dhe ultimatume sepse me ultimatum nuk mund të zgjidhen çështjet. Ne kemi thënë se nuk paragjykojmë që të ulemi e të diskutojmë, presim që opozita duhet të kthehet në parlament”, tha kryeministri Mustafa.

Edhe nënpresidenti amerikan, Joe Biden, gjatë takimit të mërkurën me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, në Washington, ka shtruar nevojën emergjente që të gjitha partitë politike në Kosovë të përfshihen në dialog paqësorë dhe të punojnë në kuadër të parlamentit të zgjedhur për të çuar përpara reformat dhe për të punuar për nevojat e qytetarëve të Kosovës.

XS
SM
MD
LG