Lidhje

OSBE e shqetësuar për sigurinë e gazetarëve gjatë ngjarjeve në veriun e Kosovës


Përfaqësuesi për lirinë e medies në Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, Harlem Désir, dhe shefi i misionit të kësaj organizate në Kosovë, ambasadori Jan Braathu, janë shprehur thellësisht të shqetësuar për sigurinë e gazetarëve që raportuan për ndërhyrjen e policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës të hënën.

Në një komunikatë të përbashkët thuhet se gjatë operacionit të policisë pesë gazetarë ishin subjekt i lëndimeve fizike dhe mjetet e punës u janë dëmtuar.

"Për më tepër, puna e ligjshme e shumë gazetarëve që po mbulonin zhvillimet është penguar. Një fotoreporter është sulmuar nga një grup njerëzish në margjinat e incidentit", thuhet në njoftim.

“Jam thellësisht i shqetësuar më sulmet ndaj këtyre gazetarëve. Punonjësit e medies duhet të lejohen që ta bëjnë lirisht punën e tyre, pa asnjë frikë për sigurinë", citohet të ketë thënë zoti Désir.

“Me këtë rast dua të rikujtoj të drejtën e ligjshme të medies për të mbuluar ngjarjet dhe për të ofruar informacione të balancuara e të sakta në një shoqëri demokratike. Këto të drejta duhet të respektohen nga të gjitha palët, përfshirë edhe policinë", ka thënë ambasadori Braathu.

Të hënën Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës reagoi duke dënuar sulmin fizik ndaj fotoreporterit, Blerim Uka, i portalit Indeksonline, i cili pësoi lëndime nga goditjet e një grupi në veriun e Mitrovicës.

Edhe shoqatat e gazetarëve serbë janë ankuar për vështirësi gjatë mbulimit të ngjarjeve të së hënës në Mitrovicë.

Policia e Kosovës ndërhyri të hënën në veri duke arrestuar zyrtarin serb Marko Gjuriç, i cili kishte hyrë në Kosovë nëpër rrugë të paligjshme, meqë nuk kishte marrë leje nga Prishtina. Ai më pas u dëbua për në Serbi, ku pati reagime të ashpra ndaj veprimit të policisë së Kosovës.

Autoritetet në Kosovë thanë se ndërhyrja ishte e ligjshme dhe në pajtim më kushtetutën e vendit.

Ngjarja ka shtuar tensionet në marrëdhëniet edhe ashtu të tensionuara ndëmrjet Kosovës dhe Serbisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG