Lidhje

Pacolli: Kosova nuk e ka luksin të këmbejë territore


Intervistë me zv/kryeministrin e Kosovës, Behgjet Pacolli
please wait

No media source currently available

0:00 0:12:00 0:00
Intervistë me zv/kryeministrin e Kosovës, Behgjet Pacolli
please wait

No media source currently available

0:00 0:12:00 0:00

Zëri i Amerikës: Zoti Pacolli po e nis pikërisht nga komentet tuaja dje në mbledhjen e Këshillit të Atlantikut. Ju thatë se sipërmarrësit e rinj mund ta çojnë përpara Ballkanin. por për këtë duhet një parakusht që të shihet nga e ardhmja dhe të mos shihet e shkuara. Sa e mundur është kjo të ndodh sidomos në realitetin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë?

Behgjet Pacolli: Ne duhet të nisemi nga realiteti gjithmonë, jo nga fantazitë dhe realiteti është se secili në Kosovë dhe në Serbi synon të ndërtojë për vetveten një të ardhme më të mirë, një jetë më të mirë, një perspektivë më të mirë për veten, familjen e vet dhe për rrethin e vet që e ka. Dhe kemi pa se çdo gjë që është bërë me dhunë ose në njëfarë forme pa vullnetin e secilit, ajo nuk ka dalë mirë në fund, dhe për këtë them se të rinjtë sidomos ndërmarrësit e rinj, të cilët nuk janë ngarkuar me problemet e të shkuarës, nuk janë të ngarkuar me hidhërimet e të shkuarës, ata do të ishin më së afërti të drejtimit të një procesi i cili shkon drejt një perspektive të ndritshme.

Zëri i Amerikës: Por a është realiste dëshira juaj?

Behgjet Pacolli: Dëshira ime por unë besoj se këtu përfaqësoj dëshirën e çdo të riu edhe në Kosovë por edhe në rajon. Secili i ri, nëse sot flet me të, ai ka për synim një jetë më të mirë, një jetë më dinjitoze dhe kjo normalisht arrihet me një parakusht, parakushti është që ti të jesh shumë i qartë me veprimet e tua, që të jesh shumë kreativ në krijimin e ideve tua dhe parakushti tjetër është që ti ta duash atë ide dhe të jesh i fascinuar me atë ide të cilën ti do ta implementosh. Unë besoj se të rinjtë tanë këtë kreativitet e kanë, kanë edhe ide se si të ecet përpara dhe çdo gjë është brenda asaj ideje pos dhunës, luftës, shkatërrimit.

Zëri i Amerikës: Zoti Pacolli, po i referohemi edhe një tjetër komenti që keni bërë po dje në mbledhjen e Këshillit të Atlantikut, e cila le të themi ka ngjallur disa pakënaqësi, zëra kritikë brenda Kosovës, kryesisht të analistëve mbi mënyrën dhe thirrjen që i bëtë ministrit (Ivica) Daçiç, për të krijuar një zonë të lirë ekonomike në Mitrovicën e Veriut. Deklarata juaj u pa sikur ju po i jepnit Serbisë autoritet mbi këtë pjesë që në fakt i takon Kosovës. Si i shihni ju këto kritika?

Behgjet Pacolli: Nuk është ashtu. Wshtë dikush që do të nxjerr dhjam nga pleshti, dhe ajo ka qenë krejtësisht në kontekst kur unë kam folur me Daçiçin dhe i kam thënë eja të ndërtojmë ura të reja, eja të ndërtojmë rrugë të komunikimit dhe në atë pjesë të Kosovës për të cilën Daçiç vetëm pak përpara e tha se ajo pjesë nuk mund të zgjidhet, problemi i asaj pjese nuk mund të zgjidhet pa forcë. Unë i thash se ne kemi krijuar një zonë të lirë ekonomike në jug dhe sigurisht do të ishte e drejtë ose nëse doni drejt t'ju them, i kam thënë që eja të jesh edhe ta shikosh spektaklin se ne edhe veriun do ta fusim në kuadër të zonës së lirë ekonomike. Dhe kjo është një thirrje krejtësisht spontane, sikurse i thua eja dhe të bëjmë diçka, do të thotë një thirrje që t’i kthehet konstruktivitetit, t’i kthehet punës, se unë jam edhe një herë se vetëm me punë e vetëm me veprimtari ekonomike, vetëm me ngritjen e standardit jetësor ku automatikisht ngritët edhe vetëdija e qytetarëve, çdo problem mund të zgjidhet e sidomos problemet që janë të mbushura me tensione politike.

Zëri i Amerikës: Po a mund të zgjidhen këto me një thirrje të vetme? Si e shikoni nga ana tjetër?

Behgjet Pacolli: Kjo nuk është një thirrje, kjo është vetëm një përgjigje në thënien e zotit Daçiç se çështja e veriut mund të zgjidhet vetëm me forcë, gjegjësisht synimi i tij gjatë dy takimeve që i kemi pas dje, edhe atë në konferencë por edhe takimin me dyer të mbyllura, çon drejt ndërrimit të territoreve. Kosova nuk e ka luksin të ndërrojë territore, Kosova do të mbrojë territoret e veta sipas Kushtetutës së vet dhe sovraniteti i Kosovës duhet të funksionojë dhe duhet të ruhet me ato vende të cilat i përkasin Kosovës, vende në bazë të të cilave është deklaruar edhe pavarësia për këtë vend.

Zëri i Amerikës: Zoti Pacolli, një nga problemet e trashëguara të qeverisë është edhe çështja e shënimit të kufirit me Malin e Zi. Dje pati një deklaratë nga zëvendës kryeministri Hoxha në të njëjtin forum që morët pjesë edhe ju se kjo çështje mund të arrihet madje me konsensus në janarin e vitit 2018. Do të ndodhi kjo gjë?

Behgjet Pacolli: Është një problem , ju e dini që publiku në Kosovë ka qenë i ndarë. Një pjesë e madhe e qytetarëve ka besuar në dokumentin që është nënshkruar. Në parlamentin e Malit të Zi është miratuar, dhe pritet të miratohet edhe ne Parlamentin e Kosovës, por është edhe çështja tjetër e qytetarëve të Kosovës të cilët besojnë që ai dokument nuk është i drejtë dhe për këtë qeveria e Kosovës ka formuar një komision tjetër dhe mbetet të shihet çfarë do të sjellë ky komision. Nëse sjellë dëshmi dhe shihet se Kosova ka humb territor, çdo qytetar i Kosovës nuk do të jetë dakord dhe ne jemi që Kosova të mos humb as një metër territor që posedon. Nëse shohim se nuk ka fakte praktikisht ne duhet t’i kthehemi marrëveshjes që është nënshkruar dhe të fokusohemi në atë marrëveshje dhe si e tillë të kaloj në Parlamentin e Kosovës. Unë besoj që edhe partitë opozitare në momentin që të binden se nuk ka gabime në marrëveshjen e parë edhe ato sigurisht do të jenë të përgjegjshme dhe do ta votojnë këtë marrëveshje e cila është duke e bllokuar Kosovën por edhe shumë të tjera.

Zëri i Amerikës: A ka shanse që kjo marrëveshje të miratohet shumë shpejt duke pasur parasysh se kritikat e kanë mbajtur deri më tash të pa miratuar?

Behgjet Pacolli: Po them me përgjegjësi të plotë; nëse komisioni i dytë i cili është formuar nga zoti Haradinaj nuk sjellë dëshmi në bazë së cilës duhet të anulohet marrëveshja paraprake, ka mundësi që marrëveshja paraprake të kaloj për shkak se vet udhëheqësi i Lidhjes Demokratike i një partie të përgjegjshme dhe institucionale, më ka thënë se LDK do të jetë e përgjegjshme pa marr parasysh a qëndron në opozitë apo në pushtet dhe se do të votojë çdo gjë që është e drejtë dhe me të cilën është marr vesh me Malin e Zi, do të thotë nëse ka në tavolinë një marrëveshje në të cilën shihet që Kosova nuk ka humbur territor në anën tjetër ajo marrëveshje ka mundësi të pranohet prej Malit të Zi, Lidhja Demokratike do ta votoj dhe me votat e saj unë besoj që nuk do të kemi problem të kemi dy të tretat dhe kjo marrëveshje të kalojë.

Zëri i Amerikës: Por, ju mezi formuat qeverinë, mezi i bëtë 61 vota?

Behgjet Pacolli: Unë besoj që formimi i qeverisë është diçka tjetër kurse Kosova është edhe e opozitës edhe e qeverisë, prandaj këtu jemi shumë përgjegjës në këtë çështje.

Zëri i Amerikës: Zoti Pacolli, cili është realiteti i ndikimit rus jo vetëm në Ballkan por kryesisht në Kosovë. Flitet për një mësymje të rusëve në Ballkan dhe kryesisht për të penguar proceset integruese. Në Kosovë si është realiteti?

Behgjet Pacolli: Sot patëm një takim, ministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor me këshilltarin për siguri të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe u bisedua për ndikimin rus në rajon. Secili nga ne por edhe zoti Daçiç tha se për shkak të mungesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon i është lëshuar vendi ndoshta Rusisë. Unë do të dëshiroja që prezenca amerikane të shtohet në Ballkan, që të kemi më shumë prezencë amerikane si në siguri por edhe në ekonominë e vendit tonë dhe duke u rritur kjo prezencë e SHBA-së dhe perëndimit sigurisht që do të tkurret hapësira për veprimtarinë nga ana e Rusisë.

Zëri i Amerikës: Në Kosovë ndjehet presioni rus?

Behgjet Pacolli: Ne e ndjejmë atë dhe më së shumti në media. Mediet ndikojnë edhe te veprimet e mëvonshme të cilat Serbia i ndërmerr kundër Kosovës. Veprimtaria e Serbisë në fushën diplomatike kundër Kosovës dhe të gjitha pengesat që sot Serbia i ka vënë për të penguar lëvizjen e lirë të mallrave, të kapitalit dhe njerëzve të Kosovës nëpër Serbi dhe pengesat tjera do të thotë janë pengesa reale prej të cilave Serbia duhet të distancohet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG