Parlamenti i Kosovës miratoi projektligjet për vazhdimin e mandatit të misionit të EUELX-it i cili tashmë tre dite ka skaduar. Miratimi i pasoi diskutimet disaditëshe ndërmjet autoriteteve në Kosovë dhe atyre të Bashkimit Evropian lidhur me mandatin dhe përgjegjësitë e këtij misioni dhe çështja kryesore ishte nëse EULEX-it do t’i lejohen apo jo përgjegjësi ekzekutive për hapjen e rasteve të reja në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Qeveria e Kosovës u detyrua që pas këtyre diskutimeve të ndryshojë dy herë projektligjet e saj për misionin e EULEX-it për shkak të pakënaqësive të Brukslit për mundësinë e shkurtimit të përgjegjësive.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi njëherësh ministër i Drejtësisë gjatë prezantimit të projektligjit për vazhdimin e mandatit të EULEX-it tha se me miratimin e këtyre ligjeve mbrohen interesat e shtetit të Kosovës.
“Qëllimi i këtyre marrëveshjeve kanë qenë që të funksionojë apo të rriten kapacitetet në fushën e rendit dhe ligjit në Kosovë, pastaj ka pasur për qëllim dhe kemi qëllim që t'i rrisim kapacitetet në procesin e integrimeve evropiane dhe po ashtu qëllim primar ruajtja e partneritetit tonë me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Natyrisht se në kuadër të negociatave kemi pasur për qëllim primar të ruajmë sovranitetin sa më shumë që është e mundur të Kosovës, të institucioneve tona vendore por po ashtu të ruajmë dhe të shfrytëzojmë ekspertizën e ekspertëve të Bashkimit Evropian”, tha zoti Kuçi.
Vazhdimi i mandatit të EULEX-it është kundërshtuar nga lëvizja Vetëvendosje në opozitë. Shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Glauk Konjufca, tha se misioni ka dështuar të përmbushë detyrimet e tij.
“Bilanci final për EULEX-in mund të jetë ky, shumë para, pak rezultate kundër korrupsionit dhe tepër kompromise me krimin e organizuar dhe me strukturat e Serbisë. Nëse kjo është e vërteta atëherë nuk kemi se si t'ia zgjasim jetën me votën tonë këtij misioni të cilit i interesoi më shumë stabiliteti i skenës tonë politike se sa drejtësia”, tha zoti Konjufca.
Punën e EULEX-it gjatë viteve të fundit e kanë kritikuar edhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile të cilët tërheqin vërejtjen në dështimet e këtij misioni, megjithatë zgjatjen e mandatit të tij e shohin të domosdoshme, për shkak të mungesës së mundësive dhe vullnetit të drejtësisë vendëse për t’u marrë me krimet e rënda.
EULEX-i u vendos në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së saj nga Serbia në shkurt të vitit 2008.
Ndonëse ishte shkurtuar dhe ndryshuar nëpër vite, ai ruante fuqi ekzekutive dhe trajtonte krimet e luftës por edhe krimin e organizuar dhe korrupsionin në rastet që vlerësoheshin me të ndejshme për t’u trajtuar nga prokurorët dhe gjykatësit vendas.
Ratifikimi mirëpritet nga diplomacia euro-perëndimore
Ratifikimi i mandatit të ri të EULEX-it u mirëprit nga ambasada amerikane në Prishtinë, e cila i cilësoi atë si një hap të rëndësishëm në qëllimin e përbashkët për përmirësimin e sundimit të ligjit në Kosovë.
"Kjo marrëveshje do t’i mundësojë EULEX-it që të vazhdojë t’i ofrojë sektorit të drejtësisë kapacitete aty ku është e nevojshme nevojitet, dhe që të ndihmojë Kosovën në zhvillimin e aftësive vetanake. Qeveria e SHBA-ve mburret për faktin që do të vazhdojë të kontribuojë me personel për të zbatuar këtë mision të rëndësishëm", thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.
Vendimi u mirëprit edhe nga zyra e Bashkimit Evropian dhe diplomtatët e vendeve anëtare të BE-së.
"Me mandatin e ri, Kosova do të jetë përgjegjëse për sundimin e ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Autoritetet duhet ta shfrytëzojnë mandatin e ri për të vazhduar një tranzicion të qartë të përgjegjësive nga EULEX-i tek autoritetet e Kosovës. Meqë kjo do të marr kohë, është e rëndësishme që ky ndryshim të jetë gradual, ashtu që të mos rrezikojë atë që është arritur në fushën e sundimit të ligjit deri më tani", thuhet në reagim, në të cilin nënvizohet se "Kosova ka arritur rezultate të rëndësishme në rrugën e saj evropiane, më e dukshmja me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, propozimin e Komisionit Evropian për udhëtim pa viza dhe normalizimin përmes bisedimeve. EULEX-i ka qenë dhe vazhdon të jetë i lidhur me këto procese dhe me agjendën evropiane të Kosovës".