Lidhje

Veseli: Nuk e dëmtojmë partneritetin me Shtetet e Bashkuara


Kryetari i parlamentit, Kadri Veseli tha të premten se Kosova nuk do të dëmtojë partneritetin me Shtetet e Bashkuara, të cilat sipas tij nuk kërkesë për heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe, por që t’i hapet perspektivë procesit të bisedimeve.

Ai i bëri këto komente pas mbledhjes së kryesisë së parlamentit, duke ritheksuar se tarifat janë reagim ndaj qasjes agresive të Serbisë ndaj Kosovës.

Veseli: nuk dëmtojmë marrëdhëniet me SHBA
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:43 0:00

“Ka një kërkesë që t’i jepet një perspektivë dhe një fuqi Kosovës në procesin e dialogut, nuk ka kërkesë për t’u hequr (tarifat), pra kërkesë që t’i jepet mundësi dialogut në të cilën do të veprojmë bashkërisht. Të keni parasysh, shqetësimet të cilat janë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të jenë edhe tonat të përbashkëta. Por, në të njëjtën kohë Serbia duhet ta dijë që ky vend është i pavarur dhe sovran, vendimet i marrim sovrane”, tha ai.

Zoti Veseli duke komentuar deklarimet e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin një ditë më parë në Serbi, tha se Rusia është duke shkuar drejt njohjes së Kosovës.

“Vizitën e presidentit rus Putin në Serbi, merreni si diçka pozitive. Ne jemi me Amerikën, jemi vend perëndimor. Fqinji ynë në pjesën veriore po pretendon me qenë mirë me partnerët tanë, por po i hap dyert Rusisë. Sidoqoftë, në vizitën e Putinit në Serbi, pas takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, janë thënë të njëjtat mesazhe, sikurse me presidentin tonë. Rusia është duke shkuar drejt njohjes së Republikës së Kosovës”, tha zoti Veseli.

Ai tha se beson që ky vit do të jetë vit i anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara, ndërsa i bëri thirrje opozitës që të përkrahë bisedimet.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se partia e tij do të vazhdojë të jap ndihmesën e saj përmes parlamentit të vendit ndërsa kritikoi sërish ekipin negociues të Kosovës.

“Ky ekip negociator nuk përfaqëson askënd, ju e dini për njerëzit veç e veç që janë brenda këtij ekipi pa asnjë fuqi politike përveç grupeve shumë të vogla politike ose grupe të ndryshme të interesit. Ne jemi duke dhënë kontributin tonë, nuk jemi duke qëndruar anash këtij procesi, jemi duke mbikëqyrur procesin se si po shkon dhe do ta japim fjalën tonë në parlamentin e Kosovës si grupi kryesor parlamentar më i madh opozitar në vend kur të vjen marrëveshja në parlament”, tha zoti Hoti.

Autoritetet në Kosovë thonë se janë të gatshëm për një marrëveshje normalizimi me Serbinë e cila do të sillte paqe në rajon.

Por, presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha të enjten pas takimit me presidentin e Rusisë se është ende larg arritjes së një marrëveshjeje me Kosovën, dhe se sipas tij pa heqjen e tarifave Serbia nuk do të vazhdojë bisedimet.

Tash për tash është e paqartë se kur mund të pritet vazhdimi i bisedimeve që kanë ngecur për shkak të tarifave të vendosura nga qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe.

Bashkimi Evropian dy herë dërgoi në Prishtinë komisionarin Johannes Hahn për t’i kërkuar Prishtinës heqjen e tarifave, ndërsa pezullimin e tyre e kanë kërkuar edhe Shtetet e Bashkuara.

Qeveria e Kosovës thekson se tarifat do të hiqen si pjesë e një marrëveshjeje me Serbinë për njohjen e ndërsjellë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG