Lidhje

Tensionet ndërpresin seancën e parlamentit të Kosovës


Kryetarja e parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha të premten mbrëma se ka denoncuar në polici deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhavit Ukaj, pak pasi që seanca e parlamentit u ndërpre për shkak të tensioneve që përfshinë debatet për rishikimin e buxhetit të vendit.

Deputeti Ukaj, u përfshi në një përplasje verbale me kryetaren e parlamentit, Vjosa Osmani, derisa po zhvillohej një debat më i ashpër ndërmjet dy deputeteve të parlamentit nga radhët e Partisë Demokratike dhe lëvizjes Vetëvendosje.

Në regjistrime shihet zoti Ukaj që afrohet tek vendi ku qëndron kryetarja e parlamentit pasi që zonja Osmani i kërkoi të ulej “ndryshe do të përjashtohej nga seanca” dhe më pas ajo i dha fund seancës duke theksuar se seanca ndërpritet “për shkak të pa edukatës së disa deputetëve”.

Më pas në një postim në llogarinë e saj në facebook zonja Osmani tha se “ndaj deputetit që më ka kërcënuar fizikisht dhe me gjuhë banale të paprecedent për një institucion si Kuvendi, kam hapur rast në polici. Shpresoj që organet e rendit të merren sa më shpejt me këtë rast”.

Ajo tha se të hënën do të vazhdojnë punimet e parlamentit, meqë “ka tema të rëndësishme me të cilat duhet të merremi, siç është menaxhimi i pandemisë dhe nuk lejoj asnjë person të papërgjegjshëm të më pengojë në kryerjen e detyrës zyrtare në përputhje me rregulloren e Kuvendit”, shkroi ajo.

Deputeti Ukaj u tha medieve lokale se nuk e ka kërcënuar zonjën Osmani por ishte afruar për të kërkuar shpjegime për reagimin e saj ndaj tij.

Instituti Demokratik i Kosovës, i cili mbikëqyrë punën e parlamentit, dënoi gjuhën dhe sjelljet siç thuhet joparlamentare të deputetëve ndaj kryetares së parlamentit.

“Vlerësojmë që me sjelljen dhe veprimet e tyre, deputetët kanë penguar Kryetaren e Kuvendit për të ushtruar funksionet e saj, të përcaktuara me Rregulloren e Punës, duke shkaktuar dhe ndërprerjen e punimeve të seancës”, thuhet në reagim ku bëhet thirrje për masa disiplinore ndaj deputetëve që penguan punimet dhe mbarëvajtjen e seancës, si dhe nuk respektuan autoritetin e kryetares, në mënyrë që të shmangen situata të tilla në të ardhmen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG