Lidhje

Mustafa: Së shpejti në parlament marrëveshja për kufirin me Malin e Zi

  • Leonat Shehu

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha të enjten se brenda muajit prill qeveria do të dërgojë në parlament marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Komentet e kryeministrit Mustafa u bënë në një kohë të ringjalljes së debateve rreth kësaj marrëveshjeje e cila ishte tërhequr në shtator të vitit të kaluar nga qeveria, për shkak të mungesës së votave të nevojshme për ta miratuar atë.

Që nga ajo kohë udhëheqësit e institucioneve janë vënë në përpjekje për të bindur deputetët, por sfidë mbetet mungesa e përkrahjes nga vet deputetët e shumicës.

Autoritetet thonë se përmbyllja e çështjes së kufirit me Malin e Zi është me rëndësi strategjike dhe politike për qytetarët e Kosovës pas zhvillimeve të fundit në rajon.

Kryeministri Isa Mustafa tha se përmbyllja e kësaj marrëveshjeje i hap rrugë edhe liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Do të shkojmë në qeveri që të miratojmë ligjin për shënimin e vijës kufitare i cili duhet të ratifikohet në parlamentin e Kosovës. Nuk kemi ndonjë ndryshim që të bëjmë në ligj sepse mbetet ajo që ka qenë. Është përgjithësi shumë e madhe e të gjithë neve në Kosovë që të hapim mundësi që njerëzit tanë të lëvizin pa viza, prandaj përgjegjësia është shumë më e madhe se sa është çështja e krenarisë individuale të njerëzve në parlament ose tekeve të tyre që ta bllokojnë këtë proces. Kufinjë tjetër nuk kemi, ai është kufiri prandaj atë kufi duhet ta ratifikojmë”, tha ai.

Çështja e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi nxiti mospajtime të thella që çuan në krizë politike. Debati për kufirin në Kosovë është përcjellë për një kohë të gjatë me skena të dhunshme në parlament e ndonjëherë edhe jashtë tij.

Opozita thotë se marrëveshja e dëmton Kosovën për mbi 8 mijë hektarë tokë dhe hedh poshtë pohimet e Komisionit Shtetërorë për kufirin se shënimi i tij është në pajtim me dokumentet në fuqi, përfshirë edhe planin në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës. Ajo paralajmëron se do të kundërshtoje me të gjithë mjetet ratifikimin e marrëveshjes.

Partitë opozitare në Kosovë po ashtu kanë paralajmëruar mundësinë që të hedhin në votim një mocion mosbesimi për Qeverinë e Kosovës, si rrugë për përshpejtimin e zgjedhjeve të përgjithshme.

Kryeministri Mustafa tha se një gjë e tillë nuk e brengosë.

“Opozita ka filluar shumë herët me këtë dhe ka më shumë se dy vjet që po merret me këtë punë. Unë jam i brengosur me punët e përditshme të qeverisë, jam i brengosur për hapjen e perspektivës zhvillimore, me qëndrueshmërinë politike dhe ekonomike të vendit. Opozita nuk ka asnjë punë tjetër përveç që të kërkojë zgjedhje dhe të shpall mocione të ndryshme prandaj është punë e opozitës”, tha kryeministri Mustafa.

Ditëve të fundit, janë shpeshtuar zërat edhe nga opozita por edhe nga zyrtarë tjerë të partive në pushtet për të çuar vendin në zgjedhje të përgjithshme të parakohshme, për shkak të siç thuhet mungesës së rezultateve të koalicionit qeveritar, krizës së nxitur marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi dhe veprimet lidhur me ndryshimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG