Lidhje

Haradinaj: Po bisedimeve me Serbinë - por me paprekshmëri të asaj që kemi krijuar


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha sot se taksa për prodhimet nga Serbia dhe Bosnja, është përgjigje ndaj trysnisë nga Serbia dhe nuk synon të nxisë probleme në rajon.

Ai i bëri këto komente në një ligjëratë para studentëve të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, gjatë së cilës tha se Kosova po përballet me arrogancën e Serbisë që nga rrafshi diplomatik te njohjet e deri tek kërcënimi i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë.

“Kjo mund të jetë gjatë dhe mundet të rritet dhe mund të kalojë në masa më drastike, pra nuk është një veprim i njëhershëm apo provokim por është prej zorit. Nëse ishte zbatuar marrëveshja e energjisë atëherë pse të mos e shqyrtojmë edhe ne këtë dhjetë përqindëshin. Ne humbim rreth 30 milionë nga mos zbatimi i marrëveshjes së energjisë dhe kemi problem tjera deri te sigurisë për këtë”,tha ai.

Kundër vendosjes së taksës shtesë është shprehur edhe Bashkimi Evropian i cili ka kërkuar heqjen e saj duke e cilësuar atë si veprim në kundërshtim me Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore, e njohur si CEFTA.

E ngarkuara me punë në ambasadën amerikane në Prishtinë, Colleen Hyland, tha se Kosova nuk përfiton nga rritja e taksës ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Në një postim në rrjetin social twitter, ajo shkroi se “Kosova nuk përfiton nga rritja e detyrimeve ndaj anëtarëve tjerë të CEFTA-s. Vetëm krijon pasiguri për bizneset dhe jo qëndrueshmëri ekonomike. Më mirë është që të bëhen më shumë përpjekje për të siguruar një të ardhme më të frytshme përmes bisedimeve”, shkroi ajo.

Duke i bërë jehonë këtij qëndrimi, ambasadori amerikan në Beograd, Kyle Scott, shkroi të enjten se “qëndrimi amerikan është i qartë: taksat e importit paraqesin shkelje të marrëveshjes CEFTA dhe rrezikojnë qëndrueshmërinë dhe përparimin e rajonit. Nuk duhet tehequr vëmendjen nga bisedimet”, shkroi ai.

Vendosja e taksës nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit dhe mbizotëroi takimin e fundit ndërmjet presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, javën e kaluar në Bruksel. Presidenti serb tha se nuk do të ketë vazhdim bisedimesh derisa kjo nuk hiqet.

Kosova dhe Serbia kanë hyrë në një periudhë që është cilësuar përfundimtare të bisedimeve, për një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre dhe presidentët e dy vendeve, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç, në ligjërimin e tyre politik kanë përfshirë edhe mundësinë e ndryshimit të kufijve.

Kryeministri, Ramush Haradinaj, tha të enjten se është koha të zgjidhen çështjet e hapura më Serbinë nëpërmjet bisedimeve, të cilat duhet të kenë një qëllim: njohjen e pavarësisë së Kosovës nga fqinji i saj verior.

“Jam për të negociuar këtë njohje me Serbinë sikurse negociojnë shtetet sovrane por me paprekshmëri të asaj që kemi krijuar. Nëse fillojmë të hapim veten në atë që kemi krijuar është rrezik, jo vetëm për ne po edhe për atë që kemi mbërritur por mund të jetë rrezik edhe më gjerë dhe mund të na nxjerrë një situatë të pavolitshme si vend. Nuk është çështje kush e ka thënë dhe kush nuk e ka thënë por është çështje e racionales. Nëse ne nuk arrijmë të ruajmë atë që kemi mbërritur atëherë është vështirë të krijojmë diçka të re”,tha ai.

Idetë që do të mund të përfshinin edhe ndryshimin e kufijve, nxitën reagime të shumta në Kosovë dhe në Serbi, por edhe ndarje në skenën ndërkombëtare, ndërmjet atyre që do ta pranonin një marrëveshje që arrihet mes palëve dhe atyre që druajnë se prekja e kufijve, mund të nxisë lëvizje të ngjashme edhe në pjesët tjera të Ballkanit, që ende nuk është rimëkëmbur nga luftërat e përgjakshme të fundit të shekullit të kaluar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG