Lidhje

Tre të arrestuar në Kosovë dhe një në Gjermani për vepra që lidhen më terrorizmin


Policia e Kosovës tha të premten se ka arrestuar tre persona nën dyshimet për përfshirje në veprime që lidhen me terrorizmin.

Arrestimet që u kryen në Prizren dhe në Skenderaj, thuhet në një njoftim të policisë, pasuan hetimet disamuajshe.

Tre të dyshuarit të cilëve u është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh, janë identifikuar me nistoret R. K., A. A. dhe L. M. Ata dyshohen për kryerjen e veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës, që ndërlidhen me terrorizëm, thuhet në njoftim por nuk janë dhënë hollësi për natyrën e veprimeve të tyre.

Policia tha se operacioni është zhvilluar në bashkërendim me autoritetet gjermane, të cilat në të njëjtën kohë kanë arrestuar të dyshuarin B. B.

Gjatë arrestimeve policia tha se ka konfiskuar një armë automatike AK 47, tre karikatorë të armës me 40 fishekë, një pushkë ajrore, një revole, një palë dylbi, një veturë me targa të huaja, si dhe disa pajisje elektronike dhe gjësende tjera, të cilat janë përdorur për kryerjen e veprës penale.

Autoritetet në Kosovë thonë se gjatë dy viteve të fundit nuk ka pasur raste të raportuara të përfshirjes së qytetarëve të saj në grupet terroriste. Raporti i fundit i policisë evropiane EUROPOL, thekson se Kosova ka raportuar rënie të propagandës dhe nuk ka pasur raste të mbështetjes financiare apo logjistike për grupet terroriste, ndonëse vendi është i shqetësuar lidhur me kthimin e luftëtarëve të huaj.

Në vitin 2017 autoritetet e Kosovës hapën 54 raste nën dyshimet për përfshirje në veprimtaritë terroriste në Irak dhe Siri. Këto përfshijnë raste në të cilat nuk ka pasur dëshmi për përfshirjen e shtetasve të saj në luftimet në zonat e konfliktit.

Nga mesi i vitit 2012, Kosova është përballur me shtimin e shkallës së radikalizimit të të rinjve posaçërisht me përfshirjen e tyre konfliktet në Lindjen e Mesme, ku edhe më tej besohet se janë rreth 160 qytetarë të saj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG