Lidhje

Kosovë: 21 të arrestuar për shpërdorim detyre dhe ryshfet


Në Kosovë të mërkurën u arrestuan 21 persona nga të cilët 14 zyrtarë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, nën dyshimet për përfshirje në veprat penale; keqpërdorim i detyrës zyrtare, marrje ryshfeti dhe keqpërdorim me subvencione

Arrestimet u kryen gjatë një operacioni që filloi në orët e hershme të mëngjesit, dhe përgjatë të cilit janë kryer bastisje në ministrinë e Bujqësisë në Prishtinë, dhe në katër komuna të tjera të Kosovës, në Podujevë, Pejë, Gjilan dhe Istog.

Prokuroria tha se 14 nga të arrestuarit janë zyrtarë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, shumica prej tyre inspektorë.

Prokurori i çështjes, Rafet Halimi, arrestimet janë kryer "nën dyshimin e bazuar për kryerje të veprave penale; marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti, ushtrim ndikimi, keqpërdorim i detyrës zyrtare, legalizim i përmbajtjes së rreme dhe mashtrim me subvencione”.

Ai tha se operacioni do të vazhdojë ndërsa theksoi se dëmet e shkaktuara nga veprimtaritë e të arrestuarve vlerësohen në mbi një milion euro.

Arrestimet e së mërkurës janë vazhdimësi e operacionit me emrin e koduar "subvencioni", i cili filloi në shkurt të këtij viti kur qenë arrestuar 12 persona, nga të cilët 10 zyrtarë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, nën dyshimet për përfshirje në veprat penale keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu përgëzoi institucionet për operacionin e së mërkurës duke theksuar se "zyrtarët që kanë abuzuar me detyrën e tyre zyrtare dhe janë pasuruar kundërligjshëm e në kurriz të qytetarëve, do të japin përgjegjësi".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG