Lidhje

Akuzë ndaj 11 policëve të Kosovës


Një prokuror i misionit të BE-së akuzon pjesëtarët e policisë për dhunë ndaj dhjetë serbëve të arrestuar për 48 orë në janar të vitit 2013

Në Kosovë, Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, bëri të ditur ngritjen e një aktakuzë kundër njëmbëdhjetë pjesëtarëve të Njësisë për Operacione të posaçme të Policisë së Kosovës, lidhur me trajtimin e dhjetë pjesëtarëve të komunitetit serb në muajin janar të vitit 2013.

Sipas, EULEX-it, pjesëtarët e policisë akuzohen për keqtrajtim gjatë kryerjes së detyrës zyrtare ose autorizimit publik, për sulm dhe për kanosje.

Akuzat kanë të bëjnë me pohimet për ushtrim të dhunës kundër dhjetë pjesëtarëve të komunitetit serb që ishin arrestuar më 7 janar në Gracanicë afër Prishtinës gjatë kremtimeve të krishtlindjeve ortodokse.

Të arrestuarit, pasi ishin lënë të lirë më 8 janar, kishin deklaruar se janë rrahur nga policia e Kosovës.

Atëbotë policia e Kosovës tha se “personat e dyshuar ishin ndaluar pasi që gjatë përcjelljes së shefit të zyrës serbe për Kosovën, Aleksandër Vulin, kishin sjellje dhe veprime të dyshimta dhe veshje të njëjtë, prandaj për shkak të sigurisë së personalitetit policia i ka ndaluar dhe shoqëruar në stacion policor. Personat e ndaluar gjatë gjithë kohës me dy vetura private kanë përcjellë autokolonën e zotit Vulin dhe kanë kryer veprime të dyshimta për policinë e Kosovës”, thuhej në njoftimin e policisë së Kosovës të fillim janarit
XS
SM
MD
LG