Lidhje

Dy të arrestuar të tjerë nën dyshimet për nxitje të terrorizmit


Policia e Kosovës bëri të ditur se ka arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari radikale. Në njoftimin e policisë thuhet se është arrestuar Z. Q. imam në një xhami në komunën e Gjilanit në Kosovën lindore , “që dyshohet të jetë një ndër frymëzuesit kryesorë të xhihadit” dhe L. K, nga fshati Polac i komunës së Skenderajt në Kosovën qendrore.

Të dy ata sipas policisë dyshohet se kanë kryer veprat penale “rekrutim për terrorizëm, organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist dhe nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Gjatë operacionit të së enjtes janë konfiskuar edhe dëshmi materiale, ndërsa dy të arrestuarve me urdhër të prokurorit të prokurorisë së posaçme u është shqiptuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.

Arrestimet e së enjtes janë pjesë e operacionit në shkallë të gjerë të filluar të hënën gjatë të cilit qenë arrestuar 40 persona nën dyshimet për përfshirje në luftimet në Siri dhe Irak.

Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi sot masën e paraburgimit prej 30 ditësh, për 40 personat e arrestuar.

XS
SM
MD
LG