Lidhje

Pesë të arrestuar në Kosovë nën dyshimin për trafikim organesh


Policia e Kosovës arrestoi të mërkurën pesë persona në Prishtinë, nën dyshimet për përfshirje në transplantim të paligjshëm dhe trafikim të organeve dhe qelizave njerëzore.

Në një njoftim të policisë thuhet se më 2 dhe 3 prill është realizuar një operacion për kontrollimin e një klinike private në rajonin e Prishtinës dhe arrestimin e personave të dyshuar për kryerje të veprave penale: “transplantim i kundërligjshëm e trafikim i organeve dhe qelizave njerëzore dhe trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”.

Sipas policisë hetimet kishin filluar disa muaj më parë, ndërsa gjatë kontrolleve si prova materiale janë sekuestruar; dosje mjekësore, libra të evidencave, 4 telefona celular dhe 500 euro para të gatshme.

Klinika është mbyllur ndërsa 4 prej personave të arrestuar u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Policia nuk dha më shumë hollësi rreth operacionit.

Kosova ende nuk ka ligj për transplantim organesh dhe një projektligj i hartuar kohë më parë, qe kthyer mbrapa pas mbylljes së një klinike private në vitin 2008 ku mjekë nga Kosova dhe një nga Turqia, kishin kryer transplantime të paligjshme veshkash.

Procesi gjyqësor rreth rastit ende është i hapur, meqë dy dënime të shpallura në vitin 2013 dhe vitin e kaluar, janë kthyer në rishqyrtim.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG