Lidhje

Si financohen partitë politike në Kosovë?

  • Leonat Shehu

Përfaqësues të shoqërisë civile thanë se shumica e partive politike në Kosovë kanë mungesë të transparencës financiare dhe kjo sipas tyre po ndikon në favor të punësimeve dhe dhënies së tenderëve për financuesit e tyre.

Këto komente u bënë gjatë një diskutimi publik lidhur me transparencën e financimit të partive politike, të organizuar nga shoqëria civile me përkrahje të Ambasadës Amerikane.

Gjatë debatit u tha se pjesa më e madhe e partive politike nuk kanë paraqitur pasqyrën financiare që nga viti 2012 me gjithë mbështetjen që marrin çdo vit nga buxheti i Kosovës.

Visar Sutaj nga Instituti Demokratik i Kosovës tha se partitë politike kanë mungesë të integritetit dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve dhe kjo sipas tij pastaj po bartet edhe te institucionet shtetërore të cilat i udhëheqin.

“Kjo tregon që këto parti kanë mundësi të larta të merren me krijimin e privilegjeve për grupet e caktuara qoftë në formë të punësimit, duke e ditur që qeveria është një prej punëdhënësve kryesorë apo qoftë edhe në dhënien e kontratave në pjesën e fushës së prokurimit publik”, tha zoti Sutaj.

Shefi i sektorit politiko-ekonomik në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Stephen Banks tha se integriteti dhe transparenca e financimit të partive politike lidhet direkt me punën e qeverisë në punësim, transparencë dhe veprim. Ai tha se edhe vendet tjera të botës përballen me këtë çështje, por sipas tij ato kanë zgjidhur mënyrën për të rritur transparencën.

Ju keni një ligj për financimin e partive politike që do të duhej të detyronte dhe të kontrolloj fondet mbështetëse të tyre. Fatkeqësisht kjo ende nuk është duke u zbatuar. Kryerja e kontrolleve dhe zbardhja e fondeve të financimit të partive politike do të jetë një hap i rëndësishëm duke siguruar transparencën për qytetarët e këtij vendi që e duan dhe e meritojnë”, tha zoti Banks.

Arton Demhasaj nga Organizata COHU tha se Kosova ka një ligj të miratuar për financat e partive politike, por nuk zbatohet. Ai tha se problem më i madh lind gjatë fushatave për zgjedhjet elektorale.

“Ne kemi gjetur në terren që janë rreth 260 milion euro para publike që janë marr përmes procesit të prokurimit publik pikërisht nga bizneset dhe kompanitë që kanë dhënë financa ose kanë financuar fushatat parazgjedhore të partive politike. Këtu është lidhja klienteliste që është zhvilluar në mes të bizneseve dhe partive politike, pra fillimisht bizneset japin para për të financuar fushatat e partive politike në anën tjetër pasi që ato parti vijnë në pushtet kthehen dhe marrin me miliona tenderë në procesin e tenderimit publik”, tha zoti Demhasaj.

Ai tha se kjo ka bërë që të mos ketë një trajtim të njëjtë të bizneseve, shtypje të konkurrencës dhe që shumë shërbime ekonomike të monopolizohen nga bizneset që kanë përkrahur partitë politike në pushtet.

Por, partitë politike thonë se ata i përmbushin të gjitha detyrimet që dalin nga ligji për financimin e partive politike ndërsa bënë thirrje për ndryshim të tij.

Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Basri Musmurati tha se partia e tij i përmbush të gjitha detyrimet kontrolluese të financave dhe sipas tij kontrollet nga jashtë nuk janë çështje e partive politike.

“Ne çdo tre muaj e bëjmë analizën e financave dhe këtë raport financiar e paraqesim në kryesi. Në momentin që miratohet në kryesi dërgohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pastaj është çështje e tyre nëse është në rregull apo jo”, tha zoti Musmurati.

Sekretari i lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj tha se ligji aktual nuk po i përshtatet Kosovës dhe si i tillë ai duhet të ndryshohet.

“Financimi vetëm nga shteti dhe ndalja e financimit nga kompanitë edhe do t'i çlironte bizneset nga kapja që u bënë partia politike respektivisht pastaj pushteti por edhe do të ndalej ndikimi negativ i biznesit në politikë. Sepse mendoj që kemi edhe një ndikim të tillë. Ne jemi tu fol sot vetëm për efektin që partitë politike kanë te biznesi por mendoj që në vitet e ardhshme ku biznesmenët janë duke u bërë njerëz përcaktues të politikës, që po ashtu është gabim”, tha zoti Molliqaj.

Transparenca e financimit të partive politike është pjesë edhe raportit të progresit për Kosovën që e publikon Komisioni Evropian, e cila sipas tyre paraqet një mjet të rëndësishëm kundër luftës së korrupsionit dhe krimit të organizuar.

XS
SM
MD
LG